25 Shkurt 2024

Aktivistë të trashëgimisë kulturore dhe marinarë përpiqen të mbajnë gjallë historinë e portit të Durrësit, ndërsa hapësirat e tij pritet të shndërrohen në një kompleks masiv pallatesh luksoze.

Në kangjellat e portit të Durrësit prej muajsh është instaluar një ekspozitë me foto përmes së cilës dokumentohen etapat e ndryshme të zhvillimit të portit, nga viti 1928 e deri më sot.

Kalimtarët e moshave të ndryshme shpeshherë ndalin hapin për t’u njohur me historinë e tij.

Është një lloj muzeu i hapur me foto, që ka vlerë për qytetarët vendas dhe vizitorët e huaj,” thotë Dorina Xheraj Subashi, aktiviste e trashëgimisë kulturore në qytet.

Fotot e së shkuarës marrin një vlerë të veçantë në kohën kur pamja e portit të Durrësit pritet të ndryshojë përgjithmonë pas projektit të miratuar nga qeveria shqiptare për ndërtimin e një kompleksi pallatesh dhe një marine turistike në territorin e portit aktual.

Projekti Durrës Yacht & Marina ka marrë përmes statusit të investitorit strategjik sipërfaqen prej rreth 80 hektarësh të portit të Durrësit, ndërsa shteti shqiptar është bashkë-aksioner në këtë projekt të kontestuar.

Por Xheraj Subashi është e shqetësuar se ky transformim po kërcënon me zhdukje historinë e largët dhe të afërt të portit të Durrësit.

Unë besoj se ndërmarrje si Flota tregtare apo Kantieri detar do harrohen krejtësisht, sapo të fillojnë punimet për ndërtimin e apartamenteve,” tha ajo. “Bashkia dhe institucionet e trashëgimisë kulturore nuk kanë asnjë plan për bashkëjetesën e qytetit aktual me lagjen e re që do të ndërtohet,” shtoi ajo.

Aktivistët e trashëgimisë kulturore nuk janë të vetmit që shqetësohen për zhdukjen e një pjesë të historisë së qytetit.

Galip Dedej punoi për 52 vjet me radhë, fillimisht në kantier dhe më pas si marinar i flotës detare të Durrësit. Atij do t’i pëlqente që për të ruajtur memorien kolektive të qindra banorëve të Durrësit, rrugët e lagjes luksoze që pritet të ndërtohet të merrnin emrat e ndërmarrjeve të portit.

Më pëlqente të shkoja në punë me biçikletë me babain, Besimin,” kujton Galipi për fillimet e punës së tij në vitin 1954. “E di që gjithçka do të ndryshojë, por të paktën të sjellim nipat e mbesat….,” shtoi ai.

Edhe Dashamir Janina, themelues i shoqatës “Adrijon”, është i mendimit që integrimi i monumenteve historike të portit brenda projektit Durrës Yacht & Marina do të ruante një pjesë të trashëgimisë. Vetë Janina përpiqet prej 23 vitesh për krijimin e një muzeu të detarisë në Durrës.

Ende pa e ditur se cila do të ishte e ardhmja e portit, ne kemi propozuar që pavijonet e muzeut të vendosen në ish-klubin e portit “Mujo Ulqinaku,” tha Janina.

Të tjerë banorë të Durrësit e lidhin historinë e portit me eksodin masiv të marsit të vitit 1991, ku mijëra qytetarë u nisën me anije drejt Italisë. Sefer Aga është njëri prej tyre. Ai kujton se sa është prekur kur në fotot e një ekspozite për eksodin e marsit 1991 ka gjetur edhe veten, duke u ngjitur mbi litarët e njërës prej anijeve që u nis drejt brigjeve përballë.

Më vonë mësuam se nga porti i Durrësit drejt Brindisit vetëm në javën e parë të marsit u nisën 26 mjete lundruese të tonazheve të ndryshme me afro 25 mijë shqiptarë gjithsej,” thotë Aga, tashmë në pension.

Durrësi duhet ta ketë një monument kushtuar eksodit, jo vetëm atij në mars 1991, por edhe atyre shqiptarëve që hynë në ambasadat e huaja në korrikun e vitit 1990, dhe më pas në gusht 1991,” shtoi ai.

Për fat të keq, Durrësi ka një traditë të keqe me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike, që sipas Dorina Xheraj Subashit, do të ndikojë edhe për portin e Durrësit.

Porti modern filloi të ndërtohet gati 100 vjet përpara,” thotë ajo ndërsa shton se “të rinjtë e sotëm do ta harrojnë plotësisht historinë e tij”./BIRN

Gazeta Dita