– 04.08.22

Nga Nikoleta KOVAÇI

Për ngjarjen e rëndë të Potamit, ku një komisar Policie i mori jetën një fëmije 7 vjeç, deri orëve të vona të mbrëmjes së djeshme ka folur dhe hetuar vetëm Policia dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Ata kanë bërë veprimet në vendin e ngjarjes, ata kanë dhënë detaje nga ngjarja, por jo fakte, po ashtu ata kanë referuar edhe pesë zyrtarë të Policisë së Vlorës për hetim. Pas urdhrit për shkarkim të të gjithë zinxhirit komandues të Drejtorisë së Kufirit në Drejtorinë e Qarkut Vlorë, ditën e djeshme në terren, në vendin e krimit të rëndë ka zbritur vetë kryepolici i vendit, Gledis Nano.

Po ndërsa ai fliste dhe kërcënonte nga Himara përdoruesit e motoskafëve të detit, nga Lalzi vinin pamjet e udhëtimeve horror të përdoruesve të këtyre mjeteve. Sot pritet që komisari i Policisë, Arjan Tase, të dalë në Gjykatën e Vlorës dhe të njihet me masën e sigurisë, ndërkohë që ende nuk bëhet me dije nëse drejtuesi i Policimit të Komunitet për Drejtorinë e Qarkut të Elbasanit të kishte patentë për drejtimin e atij mjeti.

Në fakt, ai ka dhënë dëshmi të ndryshme nga të paktën 20 persona që janë marrë në pyetje si dëshmitarë okularë të atij momenti tragjik për jetën e vajzës 7 vjeçe. Po ashtu, nuk dihet ende zyrtarisht se kush kanë qenë personat që kanë shoqëruar shefin e Policisë në atë rrugëtim dhe se në pronësinë e kujt ishte mjeti që i mori jetën Jonadës së vogël?

Dëshmitarët, të cilët u përpoqën të ruanin vendin e ngjarjes për orë e orë me radhë, kanë dëshmuar se Arjan Tase bëri manovra të rrezikshme në momentin që u nis të rihynte në det, ndërkohë që komisari ka pohuar se mjeti ka pësuar defekt.

Policia dhe AMP nuk kanë folur ditën e djeshme për sekuestrimin e mjetit dhe vënien e tij në dispozicion të ekspertimit, ashtu siç nuk u fol as për mbajtjen e armës nga ana e Tases me vete edhe jashtë orarit të punës.

Të gjitha këto mistere pritet të zbardhën nga Prokuroria e Vlorës, e cila pritet të hetojë edhe vetë, jashtë ndikimit të formulimit të dosjes nga ana e AMP-së.

AKUZA

Sipas të dhënave paraprake, bëhet me dije se ish-shefi i policimit në Policinë e Elbasanit, Arjan Tase, do të dalë para Gjykatës së Vlorës për akuzën e vrasjes nga pakujdesia të 7- vjeçares Jonada Avdia.

Përmes një njoftimi zyrtar të shpërndarë nga Ministria e Brendshme mbi ngjarjen që i mori jetën vogëlushes që kishte ardhur për pushime me familjen, përshkruhet gjithë dinamika ku komisari i Policisë, teksa ishte me pushime, përplasi për vdekje fëmijën që po notonte brenda vijës së sigurisë.

AMP, duke iu referuar dëshmive të shumta mes të cilave edhe të efektivit që ia lë fajin mjetit lundrues që e kishte marrë në përdorim nga një i afërm, shpjegon se Arjan Tase po drejtonte mjetin lundrues me dy motorë me destinacion nga Porto Palermo drejt Potamit, ndërsa në bord kishte edhe familjarë të tij.

Ai tentoi të hynte me indietro në det, dhe sipas dëshmive të personave që kanë parë skenën e përgjakshme, duke mos ditur të manovronte, i ka dhënë shumë gaz mjetit duke mos e parë fare se nga kishte drejtim pjesa e prapme e skafit, helikat e të cilit i prenë trupin dhe jetën vajzës së vogël.

Por Policia, në hetimet e saj, nuk qartëson nëse komisari i Policisë ka qenë i pajisur me leje drejtimi për një mjet me fuqi të tillë motorike. Agjencia deklaron se pas veprimeve hetimore dhe provave të sekuestruara, dyshimet hidhen edhe ndaj strukturave të Policisë kufitare dhe vendore, që duhej të kontrollonin hapësirën ujore të rrethuar nga bovat.

Si persona ndaj të cilëve po kryhen hetime për dyshimet e shpërdorimit të detyrës janë gjithashtu drejtori i Kufirit të Vlorës, Shpëtim Hasanaliaj, kryekomisari së bashku me vartësin Fatos Muka, shefi i Komisariatit dhe shefi i rendit të Himarës, si dhe shefi i Stacionit në Dhërmi.

DINAMIKA SIPAS POLICISË

Një ditë pas tragjedisë në plazhin e Potamit, ku 7-vjeçarja Jonada Avdia u godit për vdekje nga skafi në breg të detit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zbardhur dinamikën e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Sipas AMP, efektivi Arjan Tase, me detyrë shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, i vënë tashmë në pranga, ishte me pushime në Himarë, ka qenë duke drejtuar një mjet lundrues me dy motorë, nga Porto Palermo drejt Potamit.

“Në vendin e quajtur plazhi i Potamit, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit ujor, shtetasi A. T. ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit. Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet.

Pasi ka zbarkuar në breg personat e tjerë në bord (nuk bëhet me dije se kush kanë qenë personat e tjerë, përveç bashkëshortes) shtetasi A. T. (thotë AMP) ka kryer manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur.

Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, drejtuesi i mjetit A. T. ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, shtetasen e mitur J. A., duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës”.

AMP thekson se pas veprimeve hetimore në vendngjarje, administrimin e provave që dokumentojnë fajësinë e shtetasit A. T. për veprën penale të “Vrasjes së kryer nga pakujdesia”, hetimet janë shtrirë edhe ndaj strukturave policore, të cilat në fushën e veprimtarisë që u ngarkon ligji, kanë përgjegjësinë për kontrollin dhe monitorimin e sigurimit të hapësirave ujore të rrethuar me bova për pushuesit.

Skafi dyshime se është në pronësi të të akuzuarit për grabitje makinash

Ende nuk është hedhur dritë mbi pronësinë reale të skafit që i mori jetën ditën e martë 7-vjeçares nga Tropoja në Potam të Himarës. Më herët, mediat bënë me dije se skafi ishte regjistruar në emër të një personi nga Elbasani të quajtur Adhurim Kushi.

Nga një verifikim i bërë në QKB, rezulton se Kushi ka në pronësi një lavazh, si dhe një biznes të shitjes së makinave të përdorura. Tase ka thënë në Polici se skafin ia kishte marrë djalit të xhaxhait, por ka dyshime të forta mbi vërtetësinë e deklarimeve të tij.

Por në fakt, skafi ishte në pronësi të Arjan Tases, por ishte regjistruar në emër të Kushit, pasi, siç duket, ai nuk mund ta justifikonte për shkak të pagës jo të lartë që merrte për gradën e komisarit. Referuar të njëjtave të dhëna, bëhet me dije se komisari është bashkëpronar në biznesin e dhënies me qira të skafeve dhe mjeteve të tjera të lundrimit në zonën e Porto Palermos në Himarë, ndërkohë që Kushi rezulton të jetë person me precedentë të mëparshëm penalë.

Ai rezulton i arrestuar në majin e 2017 për grabitjen e një automjeti në Milot, për të cilin ndaj tij patën nisur edhe hetimet. Përgjatë të dhënave që ka nxjerrë Policia në lidhje me dëshminë e komisarit që i mori jetën fëmijës me motoskafin e tij, bëhet me dije se ai ka pranuar se mjetin e kishte të djalit të xhaxhait, por Policia zyrtarisht nuk bën me dije se kush është kushëriri i tij pronar që lëshon mjete ujore me qira.

Panorama.al