8 Gusht 2026

Thatësira e zgjatur që ka përfshirë Britaninë e Madhe ka ndryshuar ndjeshëm pamjen e një prej simboleve më të njohura të Londrës, Hyde Park. Pamjet ajrore të parkut tregojnë se sipërfaqet e famshme me bar të gjelbër tashmë janë zëvendësuar nga zona të mëdha të thara dhe me ngjyrë të verdhë, duke krijuar një panoramë të pazakontë për kryeqytetin britanik.

Vala e të nxehtit që prej javësh po prek Europën nuk ka kursyer as Anglinë, një vend i njohur tradicionalisht për reshjet e shumta. Për shkak të mungesës së reshjeve dhe temperaturave të larta, rreth gjysma e territorit të vendit ndodhet në gjendje emergjence për thatësirën.

Image

Situata është veçanërisht e pazakontë edhe për shkak të të dhënave historike të regjistruara në Londër. Stacioni meteorologjik i Kew Gardens nuk ka shënuar asnjë reshje gjatë gjithë muajit korrik, një rekord i paprecedentë në 155 vite matjesh.

Ndryshimi i pamjes së Hyde Park është bërë një nga shembujt më të dukshëm të ndikimit të thatësirës në jetën e përditshme dhe në hapësirat publike të Anglisë. Peizazhet karakteristike të gjelbra po zëvendësohen përkohësisht nga terrene të thata dhe të dëmtuara nga temperaturat ekstreme.