8 Gusht 2026

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë ditën e sotme zonën në Plan të Bardhë të Bashkisë Klos, duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe duke u përhapur edhe në një pjesë pyjore.

Siç shihet edhe nga pamjet, flakët e mëdha, të favorizuara nga era, kanë përfshirë me shpejtësi terrenin, ndërsa zjarri ka shkrumbuar edhe një pjesë të shpatit të malit ku ndodhen disa ndërtesa.

Sipas informacioneve të fundit, rrezikohen edhe 2-3 banesa të braktisura që ndodhen pranë vatrës së zjarrit, një prej të cilave është shkrumbuar nga flakët.

Situata paraqitet problematike, pasi flakët kanë arritur deri pranë aksit rrugor Klos-Bulqizë dhe pranë telave të tensionit të lartë të energjisë elektrike.

Për përballimin e situatës janë angazhuar forca të shumta. Në mbështetje të operacionit janë bashkuar edhe një mjet zjarrfikës dhe 15 efektivë të Forcave të Armatosura nga Batalioni i Burrelit, si dhe një mjet zjarrfikës nga Bulqiza me 5 efektivë.

Aktualisht në operacion janë angazhuar gjithsej 5 mjete zjarrfikëse dhe 24 efektivë zjarrfikës, mbi 10 efektivë të Policisë së Shtetit, forca të bashkisë dhe vullnetarë, të cilët po punojnë për izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve.