Tensione në Devoll, kryebashkiaku i ri në zyrë që në 06:30, blindohet qyteti

29 korrik 2019 08:14

Kryetari i ri i bashkisë Eduard Duro ka shkuar në zyrë ditën e sotme që në orën 06:30. Frika se mos ish-kryetari do të shkonte më herët për t’i zënë zyrën ka bërë që Duro të shkonte 90 minuta përpara. Ndërkohë që para bashkisë kanë filluar që të grumbullohen edhe mbështetësit e opozitës prej orës 07:30.

Në ambientet e bashkisë ndodhen rreth 30 forca policie. Efektivët janë të pranishëm në ambientet e jashtë institucionit për të shmangur incidentet. Duro u betua ditën e premte në mesditë, ndërsa në zyrë shkoi pasdite kur u largua ish-kryetari.

Në urdhër Duros dhe në prani të prefektit të Korçës një person çmontoi bravën e derës së jashtme dhe të dyerve të brendshme për t’u futur brenda, teksa nga zyra e re kryetari i ri dha edhe intervistën e parë ditën e premte. Por sot pritet nëse do të shkojë ish-kryetari, i zgjedhur nga radhët e PD-së, pasi ka deklaruar se nuk do ta lirojë zyrën.

e.t./dita