11 Shtator 2022

Irani ka nisur një ofensivë tjetër ndaj Shqipërisë. Pas sulmeve kibernetike që kulmuan me hakerimin e serverave qeveritarë me 15 korrik, këtë fundjavë Shqipëria është tronditur nga rënia e sistemit TIMS. Bashkë me të doli jashtë funksionit faqja zyrtare e Policisë së shtetit.

Edmond Liçaj, ekspert i IT, në një intervistë televizive, iu desh të përsërisë qëndrimet e tij se shteti shqiptar nuk po i jep seriozitetin që kjo çështje meriton.

Kjo është një luftë, tha ai, dhe vetë qeveria shqiptare do të duhet ta trajtojë si të tillë.

Liçaj: Arsyeja pse nuk ndalojnë sulmet është se kjo është një luftë. Mirëpo shteti dhe institucionet nuk po e trajtojnë si luftë. Duhet të ishte mbledhur në mënyrë urgjente Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Analiza e Mikrosoft tregoi se ne kishim një vit që ishim në sulm, ata kishin qasje në sistemet tona. Serverat tona janë të shpërndara, mund të sigurosh një server por ke një server tjetër në sulm.

Që të arrish të mbyllësh të gjithë ndërhyrjet nga jashtë ti duhet të shkëputesh totalisht nga interneti. Nuk mund të trajtohet kjo çështje vetëm me deklarata politike dhe me mendësinë se ne kemi ndërkombëtarët dhe ata janë me ne. Një qasje shumë e gabuar.

Për gazetarin Everest Dedaj, ai tha se sulmi duhet të trajtohet si një gjendje e jashtëzakonshme dhe nuk duhet të mjaftohemi vetëm me kthimin e sistemeve.

Liçaj: Duhet ta trajtojmë si luftë, duhet të merret më seriozisht nga ana institucionale. Partnerët duhet të vijnë këtu të instalohen. Edhe nëse rikuperohet TIMS do të na dalë një sistem tjetër.

Nuk mund të ndihesh kurrë në këtë situatë. Duhet të kalojmë në gjendje të emergjencës. Ne po bëjmë analizë sulmi ndërkohë që duhet të bëjmë mobilizim. Duhet të kalojmë në gjendje emergjence. Duhet të trajtohet si gjendje e jashtëzakonshme.

Ai zbuloi se hosti i shpërndarjes së të dhënave është identifikuar në Rusi.

Liçaj: Të dhënat po shpërndahen nga një host rus. Duhet të bllokohet urgjentisht shpërndarja e këtyre të dhënave.

Gazeta Sot