28 Qershor 2026

Avokati i njohur, Spartak Ngjela, ka reaguar dje ashpër në rrjetet sociale, duke lëshuar paralajmërime të rënda për telashe të mëdha politike dhe juridike ndaj kryeministrit Edi Rama. Përmes një analize të prerë, z. Ngjela ka theksuar se Gjiri i Vlorës dhe Ishulli i Sazanit përbëjnë territore thelbësore e të patjetërsueshme të pavarësisë së Shqipërisë.

Sipas juristit të njohur, çdo tentativë apo firmosje e një marrëveshjeje për t’ua dhënë këto zona strategjike të huajve, do të konsiderohej si tradhti e pastër kombëtare. Në këtë kuadër, ai i ka bërë thirrje publike kryeministrit që të tërhiqet botërisht nga projektet e përfolura përpara se të përballet me pasojat. Avokati ka kujtuar gjithashtu Nenin 1 të Kushtetutës, i cili sanksionon se Republika e Shqipërisë është një shtet unitar dhe plotësisht i pandashëm.

Sipas tij, pikërisht ky projekt pritet të jetë lëvizja e gabuar që do të fundosë përfundimisht kreun e qeverisë. Në mbyllje, Ngjela ka nënvizuar se SPAK ka tashmë në dorë momentin e artë për të nisur procesin penal dhe për të gjunjëzuar kryeministrin përpara drejtësisë. “Gjithkush duhet ta kuptojë, dhe çdo shqiptar duhet ta dijë se: Gjiri i Vlorës dhe Ishulli i Sazanit janë territore thelbësore të Shqipërisë dhe të pavarësisë së saj.

Dhe Edi Rama, si kryeministër i Shqipërisë, duhet ta dije se, dhënia të huajve Gjirin e Vlorës dhe Ishullin e Sazanit, është tradhti kombëtare. Nëse Rama nuk tërhiqet botërisht nga projekti që thuhet se ai po ka për Gjirin e Vlorës dhe për Ishullin e Sazanit; dhe firmos ndonjë marrëveshje për dhënien e Gjirit të Vlorës dhe të Ishullit të Sazanit të huajve: kjo është tradhti kombëtare. Prandaj, nëse kjo ndodh, SPAK duhet të fillojë menjëherë procesin penal kundër Edi Rames. Neni i parë i Kushtetutës së Shqipërisë, shprehet: Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm. Kjo është Shqipëria”, shkroi dje Ngjela.

Ngjela sulmon Ramën

Por teksa protestat qytetare vijojnë prej 27 ditësh me kërkesën për largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, avokati Spartak Ngjela ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kreut të qeverisë, duke e krahasuar atë me ish-diktatorin Enver Hoxha. Përmes një postimi të dytë në rrjetet sociale, Ngjela u ndal te deklaratat e Ramës se protestat janë të organizuara nga agjentura të huaja, duke thënë se kjo është e njëjta retorikë që përdorte Enver Hoxha ndaj çdo lëvizjeje kundër regjimit të tij.

Sipas tij, kryeministri po përpiqet të imitojë ish-diktatorin në mënyrën e të vepruarit dhe të komunikimit, pasi, sipas Ngjelës, ai ka “zili” për forcën që kishte Hoxha gjatë regjimit komunist. “Nuk dimë gjë fare, se çfarë po ndodh sot në Shqipëri. Asgjë. E, nga ta dime ne se çfarë po ndodh sot në Shqipëri; kur, në fakt, nuk po ndodh gjë në funksion të zhvillimit. Historia e Shqipërisë ka ngrire, sepse sot nuk po ka zhvillim kombëtar. Asgjë nuk lëviz drejt zhvillimit kombëtar.

Edhe Partia e Punës, atëhere ra, kur erdhi një kohë, në vitin 1991-1992, që ajo nuk po bënte dot gjë për të qenë. Por, ata u tërhoqën nga pushteti. Ramiz Alia dha dorëheqjen – sepse nuk po bënte dot gjë pozitive në drejtim të Shqipërisë. Po kryeministri Edi Rama, çfarë po bën? Asgjë. Atëherë, pse rri si kryeministër, a nuk po e kupton dot ky që po diskreditohet me Asgjënë e tij? Ku kuptojnë këta! Asgjëja është metoda e tyre, duke thënë se po bëjmë gjithçka. Ndërsa, po the që unë po bëj gjithçka, ke thënë qe ti je tek Asgjëja!

Atëherë? Rinia studentore ka dalë në bulevard. Dhe kjo sigurisht që është ngjarje e madhe, dhe po duket se po mban brenda saj të ardhmen e afërt të Shqipërisë. Por, a e kupton dot kryeministri Rama këtë? Jo, fare nuk e kupton dot, se e ka kapur frika dhe prandaj po flet si Enver Hoxha. Por, rinia i ka dalë në shesh. Dhe janë shumë të revoltuar. Po Rama? Nuk e kupton dot, dhe bulevardi do të vijojë të mbushet me të rinj që do të vijnë nga të gjithë qytetet e mëdha të Shqipërisë.

Po Rama? Kuptohet që, edhe pse nuk e kupton, përsëri është i detyruar të japë dorëheqjen. Ngaqë, edhe pse nuk e kupton se çfarë po ndodh, me sy mbyllur, ai do të detyrohet të japë dorëheqjen. Dhe duhet thënë që dihet se, këtë dorëheqje, historikisht, Rama e ka në favor. Po pastaj, pas dorëheqjes së tij? Do shohim se kush do të jetë kryeministri i ri që do të zgjedhin socialistët në Parlament, me 83 deputetët, që i kanë aty si shumicë thuajse absolute.  Por, socialistët ama, duhet të tregohen të matur në zgjedhjen e kryeministrit të ri. Sepse, ndërkohë, Shqipëria po pret me besim. Të shohim, se… Koha e afërt do ta tregojë”, nënvizoi dje avokat Ngjela.