Soreca: Donacionet, 800 milionë janë hua, ka 9 kushte llogaridhënie

20 shkurt  2020

Kreu i delegacionit të BE në Tiranë, Luigi Soreca, tre ditë më pas nga konferenca e donatorëve në Bruksel, ku u mblodhën 1.15 miliardë euro, në një intervistë për TCH, i përgjigjet pyetjes se nga kjo kjo sasi e madhe parash sa janë grante dhe sa janë hua.

“1.15 miliardë eurot janë të ndara në grante dhe hua, ku grantet, që do të thotë donacione direkte, janë 300 milionë, ndërsa huatë janë 800 milionë.

Më lejoni të shpjegoj ndryshimin që opinioni publik mund të mos e dijë. Grantet nënkuptojnë se këto janë donacione direkte që do t’i jepen qeverisë shqiptare për investime direkte pa interes. Kjo do të ndodhë shpejt. Për shembull, siç e dini Kryeministri dhe Presidentja kanë nënshkruar 15 milionët e parë. Këto do të mbërrijë këtu, në zyrën time, javët e ardhshme dhe do të disbursohen menjëherë. Të tjerat do të jenë në javët e ardhshme, apo e shumta një muaj”, tha Soreca.

Ndërsa për huatë ambasadori Soreca thotë:

“Për huatë, duhet të sqarojmë edhe një herë se ato janë hua. Por ka një garanci nga BE-ja. Për shembull, për huatë e Bankës Evropiane për Investim Shqipëria do të trajtohet si të ishte një shtet anëtar që do të bëjë të mundur për institucionet shqiptare t’i marrin pa interesa të larta.

Kjo është ajo për çka bëhet Konferenca e Donatorëve. Nuk janë asnjëherë vetëm donacione, janë donacione me pjesë të madhe dhe hua.

Do të thosha se jam gjithashtu krenar që Bashkimi Evropian dha shumën më të lartë të huave, 150 milionë euro. Kjo është një shumë unike dhe më duhet të them se jam shumë i kënaqur që në këtë moment kaq të rëndësishëm për Shqipërinë mundëm të tregojmë se jemi në krye të gjithë komunitetit ndërkombëtar”.

Ambasadori theksoi se është rënë dakord për 9 parime, të cilat domosdoshmërisht duhet të zbatohen.

“Është vendimtare për të gjithë komunitetin ndërkombëtar, sigurisht, për BE-në, që këto donacione t’u shkojnë njerëzve. Këto donacione u takojnë njerëzve në Shqipëri që janë në nevojë.

Kështu që transparenca, përgjegjshmëria do të udhëheqin veprimin tonë. Dhe dua t’ju them se kemi rënë dakord me qeverinë e Shqipërisë dhe me bankën që po punon me ne për një Deklaratë Parimesh, 9 parime, që do të bëhen parimet udhëheqëse gjatë zbatimit.

Dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse po flasim për qëndrueshmëri, qartësi, transparencë. Këto parime janë të detyrueshme dhe ne do të sigurojmë që ato të respektohen”, tha ai.

j.l./ dita