Skandali me faturat retroaktive të “TIMAK Defence”, si trekëndëshi Ardit “Fisheku”, Ermal “Raketa” dhe Ard “Kapterri” përdori shtetin si guaskë financiare për t’u shpërndarë miliona lekë ortakëve privatë të KAYO, zbardhet skema korruptive

26 Shtator 2026
Një skandal i rëndë korruptiv ka shpërthyer me faturat retroaktive të kompanisë “TIMAK Defence”, ku është zbardhur e gjithë skema se si shteti u përdor thjesht si një guaskë financiare për t’u shpërndarë miliona lekë ortakëve privatë të KAYO-s. Kjo aferë e cilësuar si grabitqare mban firmën e të ashtuquajturës “bandë e KAYO-s”, e udhëhequr nga Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i etiketuar si Ermal “Raketa” për shkak të lidhjeve me kompaninë “Guna Tactical”. Pjesë e këtij trekëndëshi është edhe drejtori i KAYO-s, Ard Veliu, i njohur si Ard “Kapterri”, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë e ish-drejtori juridik i kësaj shoqërie, Ardit Hysa, i mbiquajtur Ardit “Fisheku”.
Prapaskena financiare tregon se si infrastruktura shtetërore veproi mbrapsht për t’i garantuar fondet publike sipërmarrjes private pa asnjë garë reale. Fatura financiare nr. 83/2026 është lëshuar që më datë 8 korrik 2026, plot 14 ditë përpara se të dilte vetë urdhri zyrtar për zhvillimin e procedurës. Më pas, kontrata është nënshkruar më 6 gusht, saktësisht 29 ditë pas lëshimit të faturës, duke u përdorur si mbulim prapaveprues për letrat e prerë më parë. Më 18 gusht 2026, Thesari i Shtetit ka ekzekutuar me shpejtësi pagesën prej 8.641.296 lekësh si parapagim për blerje automjetesh për IKMT-në, duke përdorur si mburojë ligjore VKM-në nr. 638. Dokumentet zyrtare provojnë se privati e kishte sigurinë e plotë për fitimin e parave publike që përpara se të urdhërohej tenderi apo të ekzistonte shkresa e kontratës. Kjo shembje flagrante e kornizës administrative dhe kontrollit mbi buxhetin e shtetit u bë e ditur ditën e djeshme përmes një denoncimi publik të bërë gjatë një deklarate për mediat nga Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli.
Kronologjia e skandalit
Skema e ndjekur ndryshon plotësisht rendin kushtetues dhe administrativ të Financave Publike:
· 8 Korrik 2026: ‘TIMAK Defence’ lëshon faturën financiare nr. 83/2026.
· 22 Korrik 2026 (14 ditë vonesë): Del urdhri nr. 3419/6 për nisjen e procedurës (pasi fatura ishte prerë!).
· 6 Gusht 2026 (29 ditë vonesë): Nënshkruhet kontrata fiktive nr. 3419/8 për të mbuluar retroaktivisht faturën.
· 18 Gusht 2026: Thesari i Shtetit zbraz llogarinë duke i paguar kompanisë 8.641.296 lekë si parapagim për makinat e IKMT-së.
Prapaskena me VKM-të dhe dhurimi i aksioneve shtetërore
Përveç faturës retroaktive, skema financiare mbështetet mbi dy goditje të tjera të rënda ndaj buxhetit të shtetit:
· Guaska e KAYO sh.a.: Shteti krijoi shoqërinë KAYO me një kapital prej 150 milionë lekësh nga paratë e qytetarëve. Në vend që të prodhonte apo administronte vetë, KAYO u përdor thjesht si guaskë e ndërmjetme për t’i përcjellë fondet te privatët.
· Falja e 25% të Aksioneve (VKM nr. 387): Qeveria uli pjesëmarrjen shtetërore nga 45% në vetëm 20%. Me këtë lëvizje tjetërsuese, privati fitoi 80% të kontrollit dhe të fitimit, ndërsa shteti mbeti vetëm “bankomati” që garanton financimin dhe mban të gjithë rrezikun.
· Mburoja me VKM nr. 638: Për të mbuluar këtë skandal, u përdor si alibi ligjore VKM nr. 638 (datë 05.11.2025), duke tentuar të legalizohet faturimi prapaveprues.
Denoncimi i plotë
“‘TIMAK DEFENCE’: Kur fatura vjen para procedurës dhe kontrata vjen më pas. Një tjetër rast që kërkon përgjigje. Përfituesi është ‘TIMAK Defence’, partneri i KAYO-s. Për pagesën përdoret si referencë edhe VKM nr. 638, datë 05.11.2025. Kronologjia e dokumenteve është e qartë: 8 korrik 2026-’TIMAK Defence’ lëshon faturën nr. 83/2026; 22 korrik 2026-del urdhri nr. 3419/6 për zhvillimin e procedurës; 6 gusht 2026-lidhet kontrata nr. 3419/8; 18 gusht 2026-Thesari i paguan ‘TIMAK Defence’ 8.641.296 lekë, si parapagim për blerje automjetesh për IKMT. Pra, fatura është lëshuar 14 ditë përpara urdhrit të procedurës dhe 29 ditë përpara kontratës! Pyetje? Si mund të faturohet një kontratë përpara se të urdhërohet procedura dhe përpara se të ekzistojë kontrata? A po përdoret VKM-ja si mburojë ligjore për t’i çuar fondet publike një kompanie të lidhur me KAYO-n? Sepse rendi normal është: procedura→kontrata→fatura→pagesa. Këtu dokumentet tregojnë: fatura→procedura→kontrata→pagesa. Kush e kishte sigurinë se kontrata do të lidhej, kur fatura ishte lëshuar ende pa dalë urdhri për procedurën? Kjo është ajo që Ministria e Brendshme duhet t’u shpjegojë shqiptarëve. Faturat nuk mund të paraprijnë procedurat. Kontratat nuk mund të justifikojnë retroaktivisht faturat. Paratë publike nuk mund të shpërndahen pa transparencë. Dokumentet janë aty. Tani presim përgjigjet”, deklaroi dje nga selia blu zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli.
