Siguria e ndërtimeve, një alarm nga KLSH në korrik 2019: Instituti dështoi. –

11, dhjetor 2019

Një raport i Kontrollit të Lartë Shtetit i nxjerrë në prill të 2019, përpara rënies së dy tërmeteve të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit, i ka kërkuar institucioneve si Institutit të Ndërtimit, Ministrisë së Infrastrukturës, Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit të realizojnë ndryshime ligjore, pasi ende punohet me legjislacion dhe referencave të viteve të kaluara që kishin parashikuar ndërtime në Shqipëri që nuk i kalonin 6 katet.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka realizuar një kontroll në korrik në Institutin e Ndërtimit, duke e shtrirë më pas dhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Pra fillimisht auditimi u fokusua te Instituti, por që KLSH-ja me një vendim të posaçëm e zgjeroi auditin dhe në institucionet e tjera. Në raportin e paraqitur zyrtarisht në shtator të këtij viti, rekomandohen ndryshimet ligjore për mënyrën e cilësisë së ndërtimit.

Rama ne inspektimin e Termetit

“Veprimtaria e Institutit të Ndërtimit për të ndikuar në sigurimin e cilësisë në objektet ndërtimore nuk ka qenë efektive. Çështjet e sigurisë së cilësisë për veprat e ndërtimit duhet t’i besohet një institucioni kompetent dhe të garantohet me ligj, i cili do të ishte i domosdoshëm për ngritjen e këtij institucioni. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duke mos u angazhuar në plotësimin e kuadrit ligjor mbi organizimin dhe funksionimin e Institutit të Ndërtimit, i cili prej 15 vjetësh funksionon në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Punëve Publike qershor 2004 “Për Krijimin e Institutit e Ndërtimit”, ka dështuar të plotësojë kuadrin ligjor që do të ndikonte në sigurimin e cilësisë së objekteve të ndërtimit, nëpërmjet kontrollit të cilësisë së produkteve dhe dhënies së oponencave teknike për objektet ndërtimore”, thuhet në konkluzionet e këtij auditimi të KLSH.

Më tej në raport theksohet se “mungesa e një stafi të kompletuar teknikisht, rekrutimi i punonjësve jashtë profilit dhe pa eksperiencën e domosdoshme, si dhe mungesa e një laboratori të akredituar, ka sjellë dhënien e oponencave jocilësore dhe mungesën e kontrollit të produkteve ndërtimore, duke e kthyer këtë institucion në një zyrë të thjeshtë punësimi, që siguron të ardhurat për vetfinancim”.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka arritur në konkluzionin se baza ligjore për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit duhet të përshtatet me dinamikën e zhvillimit të ndërtimit në vitet e fundit. Institucione të ndryshme si Autoriteti Rrugor Shqiptar, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe të vet qeverisjes vendore, sipas KLSH-së, kanë qasje të ndryshme ndaj problemeve të njëjtë, për shkak të boshllëqeve të këtij legjislacioni.

“Baza ligjore e funksionimit të Institutit është e pamjaftueshme. Krijimi i këtij institucioni me objekt kryesor të punës, një fushë shumë të rëndësishme, me një urdhër të ministrit, si dhe funksionimi i tij në zbatim të një rregulloreje të miratuar vetëm nga Drejtori i Përgjithshëm, krijojnë mundësinë e mosfunksionimit normal të IN”, thuhet në këtë raport.

Por, a ka qenë efektive veprimtaria e Institutit për rritjen e sigurisë së objekteve ndërtimore në vend? Për KLSH një gjë e tillë nuk ka rezultuar dhe se për këtë kërkuar përmirësime të tjera ligjore. Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar Institutit të Ndërtimit, të shprehet qartë për konkluzionin mbi konformitetin me kushtet teknike të projektimit, duke dhënë tre lloje opinionesh përfundimtare për oponencën teknike të çdo objekti. Për këtë është propozuar tre mënyra vlereësimi si: “Projekti është i plotë dhe oponenca të shprehet CERTIFIKOHET; Projekti ka mangësi që nuk cenojnë kërkesat themelore dhe oponenca shprehet CERTIFIKOHET ME REZERVË (Për plotësim) dhe se Projekti nuk plotëson kërkesat themelore dhe oponenca shprehet NUK CERTIFIKOHET deri në plotësimin total të projektit dhe dokumentacionit të nevojshëm, si dhe kthimin e projektit të rishikuar për oponencë”.

Një tjetër shqetësim të ngritur nga KLSH-ja është se laboratori i këtij institucionit nuk është sipas standardeve, duke e cilësuar si jo efektive dhe jo në funksion të rritjes të nivelit të sigurisë të veprave ndërtimore. “Drejtoria e laboratorëve të Institutit të Ndërtimit ofron shërbime testimi të pa akredituara, për klientët në fushën e ndërtimit, por edhe shërbime të tjera si: Ekspertizave dhe inspektim të veprave ndërtimore për klientë të jashtëm. Në drejtorinë e laboratorëve të Institutit të Ndërtimit, kryhet një numër i madh testimesh me pajisje të pa kalibruara. Kalibrimet e jashtme paraqiten jo të plota dhe jo për të gjitha pajisjet në zbatim të kërkesave të standardit ISO/IEC 17025:2005, pika 5.5, të MC dhe të procedurës DL-PT-07”, theksohet në raportin e auditimit.

Për pajisjet që kanë ndikim në cilësinë e testimeve nuk është mbajtur një status i vlefshëm kalibrimi, ku KLSH përcakton se për makinat e testimit universale shtypje/tërheqje apo dixhitale, nuk kanë certifikatë kalibrimi ku të jetë identifikuar data e fundit e kalibrimit dhe data e planifikuar për kalibrimin e ardhshëm (në zbatim të frekuencës së kalibrimit) dhe për pasojë nuk mund të gjykohet mbi mirëmbajtjen korrigjuese të pajisjeve nëpërmjet zbatimit të programeve vjetore të kalibrimit të brendshëm dhe të jashtëm dhe programeve të mirëmbajtjes parandaluese si dhe sigurimit të gjurmueshmërisë në mënyrë të vlefshme.

Në lidhje me këtë, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar Institutit të Ndërtimit, që për të bërë efektive dhe të besueshme veprimtarinë e laboratorit të IN-së në funksion të rritjes të nivelit të sigurisë të veprave ndërtimore, të vazhdojë procesin e nisur për të akredituar laboratorin në Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit në përputhje me standardin e laboratorëve.

Nga auditimit është konstatuar se kapacitetet profesionale të punësuara në drejtoritë kryesore të Institutit të Ndërtimit, nuk janë në nivelin që kërkon një institucion kontrolli dhe kërkimor – shkencor. Fakti që nga 16 punonjësit e Drejtorisë së Rregullave Teknike dhe Oponencës, 7 punonjës nuk kanë licencë për projektim, edhe pse është kriter i kërkuar dhe 5 punonjës janë të sapo diplomuar dhe pa eksperiencë në fushën e projektimeve, si dhe kryerja e oponencave nga bashkëpunëtorët e jashtëm, evidenton mungesën e kapaciteteve teknike për kryerjen e oponencave teknike.

Rama ne inspektimin e Termetit

Por çështja e laboratorëve shihet si problem nga KLSH-ja edhe për vetë Autoritetin Rrugor dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit. “Nga auditimet e kryera në Autoriteti Rrugor Shqiptar, ky laborator nuk rezulton efektiv për sa i përket rritjes së cilësisë së punimeve të ndërtimit. Nga ARRSH nuk administrohen në mënyrë korrekte kampionet e marrë, kjo edhe për shkak të ambienteve jo të përshtatshme ku ndodhet laboratori aktual dhe magazinimit të kampionëve. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, megjithëse zbaton projekte me vlera të konsiderueshme, si të infrastrukturës rrugore, bulevarde, sheshe, rikonstruksione godinash dhe sinjalistikë rrugore, nuk disponon asnjë pajisje laboratorike për kryerjen e provave të materialeve të përdorur”, thuhet në raport. Në lidhje me këtë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar, që Autoritet Rrugor Shqiptar të marrë masat për rritjen e performancës së laboratorit, duke e sistemuar në ambiente të përshtatshëm për kryerjen korrekte të veprimtarisë. Fondi Shqiptar i Zhvillimit të marrë masat për të krijuar një bazë kampionësh për materialet e përdorura në objektet e zbatuara, deri në përfundimin e garancisë së defekteve.

Një pjesë e të raportit, KLSH i ka kushtuar vlerësimit të punës së bërë nga Ministria e Infrastrukturës, Autoriteti Rrugor dhe Fondi Zhvillimit Shqiptar për rritjen e sigurisë së objekteve ndërtimore në vend dhe përmirësimit të cilësisë së projekteve që zbatojnë. Standardet e projektimit të banesave, çerdheve, shkollave dhe kopshteve, miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 626; Nr. 530; Nr. 319; Nr. 159 kanë një shumëllojshmëri rekomandimesh, por nuk paraqitet në asnjë pjesë të tyre ndonjë rekomandim konkret ose referencë në lidhje me llogaritjen antisizmike të strukturave.

KLSH konstaton se për sa i përket riaftësimit strukturor të ndërtesave ekzistuese të kopshteve jepet një rekomandim, i cili është evaziv dhe jo specifik, i cili nuk orienton lehtësisht projektuesit në rast se kërkohet një projekt riaftësimi strukturor. “Referencat si Eurocode 1998-3, për riaftësimin strukturor sipas këtij raporti nuk janë të mjaftueshme, sepse janë në gjuhën angleze, nuk janë të ilustruara me zgjidhje grafike të ndërhyrjeve ku mund të orientojnë më lehtësisht projektuesit. Ndërsa Eurocodet të cilat janë në gjuhën shqipe kanë problematika për sa i përket aksesit nga përdoruesit, terminologjisë, mënyrës së përkthimit dhe fuqisë ligjore në territorin e Shqipërisë.

“Në lidhje me normat e projektimit të strukturave antisizmike në Shqipëri, janë akoma në fuqi Kushtet Teknike të Projektit të vitit 1978~1980 i përditësuar ne vitin 1989, ku pjesa dërmuese e objekteve të ndërtuara me këto kushte nuk i kalonte 5-6 kate. Këto kushte nuk përshtaten me dinamikën e zhvillimit të ndërtimeve në Shqipëri, ku shumë prej objekte që ndërtohen në ditët e sotme kalojnë lartësinë e 10 kateve mbi tokë dhe 2 kateve nën tokë. Në lidhje me këtë, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të marrë të gjitha masat për hartimin dhe publikimin e kushteve të reja teknike të projektimit, duke ju referuar standardeve të vendeve fqinje me aktivitet të ngjashëm sizmik me vendin tonë ose Eurocodeve dhe përshtatur me zhvillimin aktual të ndërtimit në Shqipëri”, thuhet në këtë raport.

Gjithashtu KLSH ka rekomanduar që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, se duhet të përditësojë e standardeve të projektimit të banesave, kopshteve, çerdheve dhe shkollave, me rekomandime dhe referenca për llogaritjen konstruktive të strukturave dhe riaftësimit strukturor. Kjo praktikë të aplikohet edhe gjatë hartimit të standardeve të projektimit të universiteteve, spitaleve dhe klinikave mjekësore.

“Është konstatuar se në projektet e rikonstruksionit të objekteve të infrastrukturës arsimore, megjithëse janë objekte të ndërtuara përpara viteve 90-të, përveç punimeve të rinovimit arkitektonik, rifiniturave, sistemeve elektrike dhe mekanike, mungojnë punimet/masat për përforcimin e strukturave dhe rritjen e qëndrueshmërisë sizmike së tyre”, thuhet më tej në raport. Në lidhje me këtë, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të hartojë një qarkore për Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve dhe njësitë e vetëqeverisjen vendore, për të gjithë projektet e reja për rikonstruksionit e infrastrukturës arsimore ose të tjera, ku pikësëpari të kërkohet vlerësimi i strukturor i konstruksionit ekzistues, në mënyrë që në preventivët e rikonstruksionit të objekteve, në qoftë se është e nevojshme, të përfshihet përforcimi i strukturës dhe rritja e qëndrueshmërisë sizmike.

Për sa i përket kontrollit të cilësisë së materialeve të ndërtimit dhe aplikimin e tyre në ndërtesa, ky proces, sipas KLSH-së, është plotësisht jashtë kontrollit. Nga auditimet e mëparshme të kryera në objekte të ndryshme ndërtimore të prokuruar nga institucione shtetërore, është konstatuar përdorimi i materialeve të një cilësie tepër të dobët dhe jo sipas standardeve.

Në lidhje me këtë, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të publikojë online/ose në media, raporte periodike në lidhje me verifikimin e cilësisë së materialeve të përdorura për çdo kategori punimesh, dhe të publikojë të gjithë listën e materialeve dhe markave të cilat nuk i përmbushin kriteret minimale të cilësisë.

Për masat e marra ndaj subjekteve të ndryshme nga Komisioni i Dhënies së Licencave Profesionale pranë Ministrisë së Infrastrukturës mungon transparenca dhe publikimi i vendimeve, online ose në media të ndryshme. Ky fakt ka bërë që subjekte ose individë apo subjekte të caktuar të vazhdojnë aktivitetin në fushën e projektimit, mbikëqyrje, kolaudimit ose zbatimit të punimeve, ose duke u paraqitur në procedura prokurimi, edhe pse ndaj tyre është marrë masë pezullimi licence ose heqje e të drejtës së ushtrimit të aktivitetit.

“Në lidhje me këtë, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të tregohet më transparente dhe të publikojë online/ ose media, të gjitha vendimet e marra në lidhje me penalitetet për subjektet që ushtrojnë aktivitetin në fushën e projektimit, mbikëqyrjes, kolaudimit dhe zbatimit të punimeve të ndërtimit”, thuhet më tej në raport.

Tërmeti i 26 nëntorit që u shënua me 51 viktima solli shkatërrime dhe dëmtime serioze të mijëra ndërtesave. Gjithashtu nxori si çështje dhe faktin mbi vlerësimet e punimeve. Shumë prej banorëve që nuk pranonin të hynin në banesa për shkak të frikës dhe dëmtimeve kërkonin vlerësim nga ekspertët e huaj dhe jo vendas. Pikërisht këto dyshime, bënë që në Shqipëri të vinin ekspertë e Bashkimit Europian për vlerësim objektesh (madje edhe nga Izraeli),

l.h/ dita