5 Dhjetor 2025

Nga: Gazeta Dita

Nga Orgen Peci

Reagimi i Ambasadës Amerikane për çështjen Balluku ishte një përgjigje tipike diplomatike, që synon të vendosë distancë nga çdo interpretim politik: “pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri mbetet thelbësore” dhe “nuk kemi komente mbi çështjet ligjore në vazhdim”.

Në përkthim praktik, kjo do të thotë: “drejtësia duhet të funksionojë vetë dhe ne nuk përzihemi.” Është një mesazh i koduar për politikën shqiptare që SHBA pret asnjë ndërhyrje në proceset që po zhvillohen.

Por ndërkohë, në terrenin e brendshëm ndodh e kundërta. Kryeministri po mban një linjë komunikimi të përditshme në mbrojtje të Ballukut dhe në kundërshtim me vendimin e GJKKO-së, duke ndërtuar një narrativë politike paralele.

Këto reagime, sado të paraqitura si opinione, nuk janë lënie e drejtësisë të flasë vetë. Ato krijojnë presion publik dhe atmosferik mbi një proces që duhet të jetë i pavarur, duke relativizuar mesazhin e ambasadës dhe duke i dhënë politikës rolin e interpretuesit të drejtësisë.

Aty ku financuesit e reformës thotë “prisni drejtësinë”, Rama në fakt po thotë: “drejtësia ka gabuar dhe unë e di më mirë”. Ai po tenton të ndërtojë një version politik të ngjarjes në mbrojtje të Ballukut, ndërkohë që gjykata ka dhënë masat e saj.

Kjo bie ndesh me idenë e ndërhyrjes zero. Edhe nëse nuk ndikon drejtpërdrejt vendimet e gjykatës, narracioni i përditshëm politik ndikon opinionin publik, partinë, administratën  pra ambientin rreth procesit.

Deklaratat e vazhdueshme në favor të një të hetuare nuk janë neutralitet. Është e qartë se ka një hendek real mes qëndrimit ndërkombëtar dhe sjelljes së brendshme politike.