Shpallet fituesi i edicionit të gjashtë, te çmimi letrar “Kadare”.

– 28/02/21

Për shkak të pandemisë së Covid-19, çmimi letrar “Kadare” u zhvendos dhe u rikthye këtë vit me ediconin e tij të gjashtë. Ditën e sotme u shpall edhe fituesi i këtij konkursi. Romani “Zogjtë e qyqes” i autorit Gani Mehmetaj u shpall fitues i çmimit letrar “Kadare 2021”, ndërsa 5 finalistët e kësaj gare me dorëshkrime në prozë ishin autorët Behar Jacaj, Ballsor Hoxha, Arbër Ahmetaj dhe Marcel Hila.

Romani “Zogjtë e qyqes” është rrëfim intrigues për njerëzit dhe kohën, për dashurinë dhe urrejtjen, për shpresat dhe zhgënjimin. Një kolon serb, paraqet kronikën 40-vjeçare të ngjarjeve, fatin e të ardhurëve dhe fatkeqësitë e vendasve.

“Zogjtë e qyqes” trajton me vlera të spikatura letrare artistike, urrejtjen mes serbëve dhe shqiptarëve, marrëdhëniet e tyre të ndërsjellta, dashurinë e pa realizuar që e intrigon lexuesin, ndërsa pasuron letrat shqipe. Autori i këtij libri, Gani Mehmetaj, ka lindur në Pejë dhe është shkrimtar e publicist shumë i njohur dhe një numër i madh veprash mbajnë firmën e tij.

 Në edicionin e gjashtë të konkursit, morën pjesë me veprat e tyre në në gjininë e prozës 30 autorë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, duke shënjuar një produkt të lavdërueshëm në krijimtarinë shqip. Juria e kryesuar nga shkrimtari Preç Zogaj, përbëhej nga profesori i filozofisë Blerim Latifi, shkrimtari Loer Kume, shkrimtari Ermir Nika, si dhe studiuesja e letërsisë Genciana Abazi.

Me një traditë të konsoliduar tashmë me 5 autorë fitues që prej vitit 2015 kur nisi, Çmimi “Kadare” është një konkurs letrar që ka në fokus letërsinë shqipe dhe nxitjen e mbështetjen e autorëve shqiptarë.

Gazeta Mapo