Shoqata e Prokurorëve kundërshton ndryshimet e Edi Rames në Kodin Penal: – Kufizojnë hetimet dhe rrezikojnë luftën ndaj korrupsionit

1 Tetor 2026
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka shprehur shqetësimin për disa nga ndryshimet e propozuara nga Këshilli i Ministrave në Kodin e Procedurës Penale, duke argumentuar se një pjesë e tyre rrezikojnë të ulin efektivitetin e hetimeve dhe të krijojnë vështirësi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në një qëndrim zyrtar, Shoqata thekson se mbështet në parim çdo nismë që synon përmirësimin e sistemit të drejtësisë penale, përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian dhe forcimin e garancive për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Megjithatë, sipas saj, mbrojtja e të drejtave të personit nën hetim dhe të pandehurit duhet të shoqërohet me aftësinë reale të shtetit për të zbuluar veprat penale, për të mbledhur provat, për të identifikuar autorët dhe për të mbrojtur viktimat dhe interesin publik.
Shoqata vlerëson se ndryshimet e shpeshta në legjislacionin procedural penal krijojnë probleme për sigurinë juridike dhe parashikueshmërinë e zbatimit të ligjit. Sipas prokurorëve, ndërhyrjet që prekin themelet e hetimit penal, balancën mes subjekteve procedurale dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë duhet të mbështeten në një analizë të qartë të problemeve të konstatuara në praktikë dhe në një vlerësim të plotë të ndikimit të ndryshimeve.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me kufizimin e kompetencave dhe mjeteve të kërkimit të provës që disponon prokurori gjatë hetimeve. Shoqata argumenton se vendosja e barrierave të reja procedurale për sekuestrimet, kontrollet, përgjimet dhe përdorimin e provave të tjera mund të ngadalësojë ndjeshëm hetimet, veçanërisht në çështjet që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Sipas Shoqatës së Prokurorëve, prokurori është magjistrat dhe ushtron funksionin në mënyrë të pavarur, ndërsa ka detyrimin ligjor të mbledhë prova si për fajësinë, ashtu edhe për pafajësinë e personit nën hetim. Për këtë arsye, Shoqata vlerëson se ndryshimet duhet të bazohen te forcimi i garancive dhe kontrollit, por jo te një mosbesim i përgjithësuar ndaj funksionit të prokurorit.
Në qëndrimin e saj, Shoqata kritikon gjithashtu ndërthurjen e instituteve nga modele të ndryshme procedurale. Sipas saj, një dispozitë nuk mund të merret mekanikisht nga një sistem tjetër juridik, pa marrë në konsideratë të gjithë arkitekturën institucionale të atij sistemi, përfshirë rolin e prokurorit, kompetencat e gjykatës, mënyrën e administrimit të provave dhe mekanizmat e ankimit.
Një tjetër pikë shqetësuese është detyrimi që çdo sekuestrim të kryhet paraprakisht përmes kërkesës në gjykatë. Shoqata argumenton se kjo mund të ngadalësojë hetimet, ndërsa e konsideron të panevojshme në kushtet kur personi të cilit i sekuestrohet një send ka edhe aktualisht të drejtën për ta kundërshtuar masën në gjykatë.
