Erion Veliaj i kërkon Kuvendit të mos miratojë hartën e re territoriale: – Të pezullohet shqyrtimi i projektligjit.

erion veliaj
1 Tetor 2026
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ka kërkuar Kuvendit të pezullojë shqyrtimin dhe miratimin përfundimtar të ndryshimeve në reformën territoriale, deri në zhvillimin e një konsultimi real dhe efektiv me qytetarët e prekur.
Në shkresën drejtuar deputetëve nga paraburgimi, Veliaj kërkon që të bëhet transparent procesi i konsultimit dhe që mendimet e qytetarëve të mund të ndikojnë realisht në hartën e re territoriale. Për Bashkinë Tiranë, ai kërkon që procesi të përfshijë Kryetarin e Bashkisë, Këshillin Bashkiak dhe konsultimin e drejtpërdrejtë me qytetarët.
Një pikë e veçantë e kërkesave lidhet me përfshirjen e njësisë administrative Rinas në Bashkinë Tiranë. Veliaj kërkon një vlerësim të plotë territorial, demografik, administrativ dhe financiar, përfshirë pasuritë, detyrimet, personelin, të ardhurat, shpenzimet dhe garantimin e shërbimeve publike.
Kryebashkiaku, që ndodhet në paraburgimin e Durrësit prej 10 shkurtit 2025, kërkon gjithashtu që për çdo ndryshim territorial të dokumentohet përmbushja e kritereve kushtetuese dhe ligjore, si dhe të përcaktohen qartë rregullat për periudhën kalimtare dhe përfaqësimin e qytetarëve.
Përpara vijimit të procesit dhe miratimit përfundimtar të hartës së re, konsideroj të nevojshme që:
- Të pezullohet vijimi i shqyrtimit përfundimtar të projektligjit deri në zhvillimin dh dokumentimin e konsultimit real, paraprak dhe efektiv të popullsive të prekura, në nj fazë kur rezultatet e tij mund të sjellin rishikimin e zgjidhjes territoriale;
- Të bëhen publike metodologjia e konsultimit, informacioni i vënë në dispozicion të qytetarëve, pjesëmarrja, qëndrimet e shprehura dhe mënyra se si ato janë reflektuar ose arsyet e mosreflektimit të tyre:
- Në rastin e Bashkisë Tiranë, të krijohen kushtet që procesi institucional të zhvillohen plotësisht, duke përfshirë mendimin e Kryetarit, shqyrtimin e informuar nga Këshill. Bashkiak dhe konsultimin real të qytetarëve;
- Për përfshirjen e njësisë administrative “Rinas” në Bashkinë Tiranë, të paraqitet vlerësimi i plotë territorial, demografik, administrativ dhe financiar, përfshirë pasuritë detyrimet, personelin, të ardhurat, shpenzimet dhe vazhdimësinë e shërbimeve publike;
- Të harmonizohet projektligji territorial me ndryshimet e nevojshme në ligjin nr. 139/2015 dhe të përfshihen në dispozita detyruese statusi juridik i “qytetit”, funksionet, organizimi, financimi dhe garancitë e shërbimeve;
- Të përcaktohet mekanizmi juridik dhe zgjedhor i përfaqësimit proporcional të qyteteve, duke garantuar barazinë e votës dhe përfaqësimin e banorëve të fshatrave dhe njësive administrative;
- Të harmonizohet neni 3 i projektligjit me nenin 92 të ligjit nr. 139/2015 dhe të rregullohet qartë administrimi i periudhës kalimtare, përfshirë organet kompetente, pasuritë, detyrimet, buxhetet, personelin dhe ofrimin e shërbimeve;
- Të dokumentohet, për çdo ndryshim konkret territorial, përmbushja e kritereve materiale të nenit 108, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 86, të ligjit nr. 139/2015;
- Të përcaktohet shprehimisht se kompetenca e këshillave bashkiakë për riorganizimin e njësive administrative kufizohet brenda territorit të bashkisë dhe nuk përfshin ndryshimin e kufijve të jashtëm ose transferimin e territorit ndërmjet bashkive.
- Të nderuar zonja dhe zotërinj deputet.
Nuk mund të them sot, në emër të qytetarëve të Tiranës, se ata janë pro apo kundër hartës së propozuar. Pikërisht këtë duhet të përcaktojë procedura kushtetuese, përmes një konsultimi që nuk zhvillohet për të konfirmuar formalisht një zgjidhje të gatshme, por për t’i dhënë popullsisë së prekur mundësinë reale që të ndikojë në të. Kryetari mund të japë mendimin e tij. Këshilli Bashkiak mund të japë të vetin, propozuesit mund të argumentojnë reformën dhe Kuvendi ushtron kompetencën ligjvënëse, por asnjëri prej këtyre institucioneve nuk mund ta zëvendësojë mendimin që Kushtetuta ia rezervon vetë popullsisë së prekur.
Jam zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve të Tiranës deri në përfundimin e përgjegjësi nuk bëhet më e vogël kur ushtrimi i saj bëhet më i vështirë. Përkundrazi, pikërisht në këto momente provohet nëse mandati publik kuptohet si një pozicion që i përket përkohësisht titullarit të tij, apo si një përgjegjësi që buron nga qytetarët dhe duhet ushtruar në shërbim të tyre.
Ndaj, institucioni “Bashkia Tiranë duhet të ushtrojë kompetencën që i ka dhënë Kushtetuta dhe asnjë kompetencë tjetër shtetërore nuk duhet të ushtrohet në mënyrë të tillë që ta bëjë këtë kompetencë praktikisht të pavlefshme.
Ndarja dhe pavarësia e pushteteve nuk nënkuptojnë izolimin e tyre nga rendi i përbashkët kushtetues. Çdo organ është i pavarur në ushtrimin e kompetencave që Kushtetuta dhe ligji i kanë dhënë, por asnjë kompetencë nuk duhet të ushtrohet në një mënyrë që e zhvesh një kompetencë tjetër kushtetuese nga përmbajtja e saj reale. Respektimi i sferës së kompetencave, funksionit dhe legjitimitetit demokratik të institucioneve të tjera është pjesë e vetë parimit të shtetit të së drejtës.
Besoj se shumica politike së cilës i përkas nuk duhet t’i druhet këtij standardi. Përkundrazi, një shumicë që ka marrë përsipër reforma të thella institucionale duhet të ketë ambicien që reformat e saj të jenë të qëndrueshme jo vetëm për sa kohë ajo disponon votat për t’i miratuar, por edhe kur ato t’i nënshtrohen provës së kohës, kontrollit kushtetues dhe zbatimit nga shumica të tjera politike.
Kur Kushtetuta kërkon që qytetarët të dëgjohen, detyra jonë është të krijojmë kushtet flasin vete dhe pastaj t’i dëgjojmë.
Me respekt.
KRYETAR
Erion VELIAJ
