2 Maji 2025

Një krijesë e rrallë dhe misterioze e oqeanit, një kandil deti gjigant fantazmë (Stygiomedusa gigantea), është filmuar gjatë një misioni 8-ditor kërkimor në brigjet e Antarktidës, pranë Detit Bellingshausen. Zbulimi i jashtëzakonshëm është raportuar nga ‘Discover Wildlife’, duke ngjallur interes të madh në botën shkencore dhe më gjerë.

Kjo krijesë e pazakontë, me një pamje të tejdukshme, të errët dhe thuajse jashtëtokësore, u regjistrua nga automjeti i telekomanduar ROV SuBastian, i operuar nga bordin e anijes kërkimore R/V Falkor, pjesë e misionit të Institutit të Oqeanit Schmidt

Ekspedita nisi pas shkëputjes së një ajsbergu masiv me sipërfaqe rreth 510 kilometra katrorë nga akullnaja lundruese George VI, duke krijuar një hapësirë unike për eksplorim nënujore. Zonat që për dekada ose shekuj kanë qenë të mbuluara nga akulli, tani ishin të aksesueshme për herë të parë.

Më 25 janar, ROV SuBastian zbriti në shtratin e detit të Antarktidës, duke sjellë imazhe të jashtëzakonshme të një ekosistemi të pasur dhe të paprekur.

“Nuk e prisnim të gjenim një ekosistem kaq të bukur dhe të lulëzuar,” tha Dr. Patricia Esquet, shkencëtarja kryesore e misionit. Bazuar në madhësinë e kafshëve, komunitetet që vëzhguam kanë qenë atje për dekada, ndoshta edhe qindra vjet.”

Ndër krijesat më mbresëlënëse ishte Stygiomedusa gigantea, një kandil deti gjigant që shumë pak njerëz kanë pasur fatin ta shohin ndonjëherë. Kambana e këtij kandili mund të ketë një diametër mbi një metër, ndërsa katër ‘bishtat’ të gjatë e të lëvizshëm mund të arrijnë deri në 10 metra gjatësi. Këto struktura nuk janë tentakula tipike, por degëzime të trasha dhe të tejdukshme që ndihmojnë në kapjen e gjahut.

Kjo specie u dokumentua për herë të parë në vitin 1899, por u identifikua zyrtarisht 60 vjet më vonë. Deri më sot, është vëzhguar më pak se 150 herë, kryesisht përmes nëndetëseve kërkimore si ROV SuBastian.

“Pamja e tij është si një fantazmë që lëviz në heshtje nëpër errësirën e detit të thellë,” thuhet në përshkrimin e botuar nga Discover Wildlife.

Zbulime të tilla janë një kujtesë se pjesa më e madhe e oqeaneve të Tokës mbetet ende e paeksploruar, dhe se çdo hapje e re në zonat e thella ose të mbuluara më parë mund të zbulojë krijesa të panjohura, ose të rralla sa vetë legjendat e detit.

Ekspedita e ‘R/V Falkor’, jo vetëm që dokumentoi një kafshë misterioze, por edhe solli në vëmendje rëndësinë e ruajtjes dhe studimit të zonave të ndjeshme si Antarktida, ku ndryshimet klimatike dhe shkëputjet e ajsbergëve po hapin derën për zbulime të reja, dhe ndoshta edhe sfida të reja për ekosistemet detare.