21 Gusht 2026

Administrata e Presidentit Donald Trump dha dje një mesazh të qartë: Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë shtetas të huaj që kryejnë krime, nxisin dhunë ndaj amerikanëve apo përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare. Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se po anulon viza në kuadër të kësaj politike, ndërsa mesazhi është përcjellë edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Kjo është pjesa që duhet lexuar me kujdes në Shqipëri. Administrata Trump po vendos një standard të ri të qartë: lidhjet me krimin, narkotrafikun apo aktivitetet që Washingtoni i konsideron kërcënim për sigurinë amerikane nuk do të tolerohen dhe viza nuk do të jetë më një e drejtë që merret si e mirëqenë.

Në këtë pikë, zhvillimi prek dy emra të rëndësishëm të politikës shqiptare, por në mënyra krejt të ndryshme: Sali Berishën dhe Edi Ramën. Për Berishën, fakti është i dokumentuar. Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli në vitin 2021 të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në korrupsion dhe minim të demokracisë. Kreu i PD pretendon se SHBA ia ka hequr “non gratën”. Por ky vendim i ri tregon se administrata Trump po përdor mekanizmin e vizave në mënyrë më agresive ndaj personave që konsiderohen problem për SHBA-në. Por nëse Berisha përballet me një vendim të marrë për korrupsion, Edi Rama përballet me një tjetër lloj presioni.

Edi Rama në rreth të kuq!

Në Washington është ngritur tashmë çështja e narkotrafikut në Shqipëri dhe e rolit të mundshëm të qeverisë shqiptare. Kongresmeni amerikan Joe Wilson ka kërkuar që administrata amerikane të hetojë nëse qeveria shqiptare ka lehtësuar ose mundësuar aktivitetin e narkotrafikut. Kërkesa parashikon edhe një raport të klasifikuar nga institucionet amerikane të sigurisë. Kjo është pika më e fortë e gjithë historisë. Sepse Washingtoni nuk po pyet vetëm se kush janë trafikantët shqiptarë. Po kërkon të dijë nëse ka pasur mbështetje nga shteti.

Dhe këtu Edi Rama është i ekspozuar politikisht, pasi bëhet fjalë për qeverinë që ai drejton. Administrata amerikane dha sinjalin e qartë vitin e kaluar se Urdhri Ekzekutiv 14157 i Trump që synon çmontimin global të rrjeteve të drogës dhe organizatave kriminale transnacionale ka nisur të zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në Shqipëri. Goditja e koordinuar e Departamentit të Thesarit kundër grupit Hysa, i lidhur me kartelin meksikan Sinaloa, erdhi pasi Ambasada e SHBA-së në Tiranë kishte paralajmëruar se Uashingtoni do të fillonte “një luftë të pamëshirshme” kundër elementëve kriminalë dhe mbështetësve të tyre në rajon. Kjo ishte  një goditje e fortë për Ramën, pasi pikërisht Luftar Hysa dhe Besnik Lulaj, ortakët e kartelit ‘Sinaloa’, sipas mediave meksikane, janë pikërisht personat që në datën 4 tetor të vitit 2020 vizituan zyrën e Ramën nën shoqërinë e deputetit gjerman të CDU-CSU, Mark Hauptmann dhe Dorian Duçkës, që në atë kohë ka qenë këshilltar i kryeministrit për investime nga jashtë. Më vonë Rama deklaroi se kishin shkuar në zyrën e tij e i kishte dhënë edhe licencë për kazino.

Karteli “Aruba”

Nga ana tjetër dosjet me prova që agjencitë partnere të Holandës, Spanjës e Belgjikës i kanë dërguar SPAK-ut zbulojnë ekzistencën e një “qeverie” shqiptare paralele të quajtur “Karteli Aruba”, të përbërë nga trafikantë, ndërtues mafiozë shqiptarë e të huaj dhe përfaqësues të qeverisë zyrtare. Edhe në krye të “Kartelit Aruba”, formalisht në distancë është Edi Rama, por faktikisht ai është orientuar dhe udhëruar të firmosë çdo interes që kanë patur e kanë klanet e drogës dhe mafia e ndërtimit “lavatriçe”, të cilët dominojnë këtë sektor biznesi me përmasa të mëdha në Shqipëri. Faktet dëshmojnë se çdo vendim i marrë në mbledhjet e “Kartelit Aruba” është konkretizuar nga qeveria shqiptare me ligje dhe vendime të veçanta mbështetëse për grabitje e dhurim sipërfaqe tokash dhe akte-normative, të prezantuara nga kryeministri Edi Rama, si gjoja zhvillim ekonomik për vendin dhe mirëqenien e popullit.

Rama ka dhënë pafund leje ndërtimi për kulla, hotele dhe komplekse pallatesh banimi e komplekse vilash. Ndërsa në vijën bregdetare, nga Ksamili deri në Shkodër, kryeministri Edi Rama ka dhënë pafund leje ndërtimi për komplekse vilash, pallatesh, resortesh, hotelesh e kulla, përveç lejeve për ferma e biznese fotovoltaike në toka shtetërore falas. Rama, si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit, vazhdon të firmosë leje ndërtimi pa zbatuar ligjin për verifikimin e burimeve financiare, sepse mosverifikimi është marrëveshje e tij me anëtarët e grupeve kriminale, të cilët kanë injektuar miliarda euro droge në aktivitetin ndërtues të oligarkëve.

Prandaj, ajo që pritet tani është të shihet nëse paralajmërimi i Washingtonit do të mbetet vetëm një politikë e përgjithshme për vizat apo do të kthehet në masa konkrete ndaj individëve të caktuar në Shqipëri. Nëse hetimet amerikane për narkotrafikun dhe lidhjet e tij me strukturat e pushtetit nxjerrin prova, Edi Rama mund të përballet me një presion të drejtpërdrejtë nga administrata Trump, e cila ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë persona që i konsideron kërcënim për sigurinë amerikane.