SHBA-ja i kthen Sirisë 36 objekte antike të vjedhura, me vlerë mbi 5 milionë dollarë

25 Shtator 2026
Autoritetet amerikane kanë njoftuar kthimin në Siri të 36 objekteve antike të vjedhura, përfshirë një skulpturë të trafikuar nga siti arkeologjik i Palmyrës, përpara shkatërrimit të një pjese të tij nga ISIS-i.
Objektet, vlera totale e të cilave tejkalon 5 milionë dollarë, u konfiskuan nga Muzeu Metropolitan i Artit në Nju Jork dhe nga disa koleksionistë të artit antik.
“Ceremonitë e riatdhesimit janë një kujtesë e fuqishme se ruajtja e trashëgimisë kulturore i kapërcen kufijtë dhe kombësitë”, deklaroi prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg.
Sipas autoriteteve amerikane, një prej objekteve më të rëndësishme të rikthyera është një skulpturë nga Palmyra, e cila ishte marrë nga siti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s përpara se pjesëtarët e ISIS-it të shkatërronin një pjesë të madhe të qytetit gjatë viteve 2015-2017.
Skulptura prej guri gëlqeror të gdhendur peshon më shumë se 450 kilogramë dhe paraqet një figurë mashkullore të shtrirë, të rrethuar nga një grua dhe tre fëmijë.
Shtetet e Bashkuara u kanë kthyer ndër vite objekte antike të grabitura edhe vendeve të tjera, përfshirë Kinën, Greqinë dhe Italinë.
Mohammad Kanatri, i ngarkuari me punë i Sirisë në Uashington, tha se kthimi i objekteve tregon se “një angazhim i përbashkët për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore mund të ndërtojë ura të qëndrueshme” mes dy vendeve.
“Përmes bashkëpunimit siriano-amerikan, një pjesë e historisë së Sirisë po kthehet më në fund në atdhe, falë përpjekjeve të Zyrës së Prokurorit të Qarkut të Manhatanit”, tha ai.
Katër prej objekteve antike u konfiskuan nga koleksionisti amerikan Michael Steinhardt, i cili në vitin 2021 ra dakord t’u kthente autoriteteve amerikane rreth 180 objekte të vjedhura nga vende të ndryshme të botës. Vlera e tyre totale ishte rreth 70 milionë dollarë.
Ndërkohë, Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit bëri të ditur se 13 prej objekteve të konfiskuara nga Muzeu Metropolitan ishin pjesë e 402 objekteve antike, me një vlerë totale prej 98.7 milionë dollarësh, që janë marrë nga ky institucion që nga viti 2017.
