Satelitet e Edi Rames

– 18.06.2022

Satelitët shqiptarë, të cilët u premtuan se do të shihnin orbitën fillimisht në Mars, dhe më pas në qershor janë bërë edhe një herë burim polemikash në vendin tonë. Në prill, pra pas muajit mars, ishte Gazeta Shqiptare ajo që ia rikujtoi të parit të qeverisë premtimin e tij.

Kryeministri Edi Rama nuk e priti aspak mirë këtë rikujtim, duke reaguar ashpër dhe duke thënë se ““Padurim të madh paskan pasur disa për satelitët e sipas modës së re thonë ç’të duan pa pyetur fare more si është puna! Po një gjë cuditem si nuk duan ta kuptojnë: Unë them atë që bën e bëj atë që them dhe kur vonesat s’janë në dorën time thjesht bëj durim, po zotimit s’i ndahem jo!” .

Ndërsa këtë qershor “misionar” i rikujtesës është bërë deputeti demokrat, Ervin Salianji. Me anë të një postimi në Facebook, ky i fundit ka risjellë në kujtesë premtimin e bërë nga kryeministri Edi Rama në një seancë parlamentare se Shqipëria do të kishte satelitët e saj në hapësirë në një periudhë shumë të afërt kohore.

“Edi Rama premtoi solemnisht se këtë Mars dhe Qershor do të ngrinte në hapësirë dy satelitët shqiptarë dhe na ftoi të mos qeshnim me premtimin e tij!”, shkruan Salianji bashkëngjitur videos ku Rama bën deklaratën, e cila duhet thënë se shkaktoi shumë të qeshura në sallën e Kuvendit.

Më tej Salianji ironizon kryeministrin duke thënë se e vetmja gjë që po fluturon në Shqipëri aktualisht janë çmimet, si të karburantit dhe të ushqimeve.

“Në këtë muaj kur duhet të ishin në hapësirë dy satelitët që do të bënin namin, në qiell kanë fluturuar çmimet e shportës dhe nafta! Sot më shumë se çdo herë tjetër qytetarët kanë nevojë për ndihmën e qeverisë jo për qeveri që fluturon me satelitë…”, konstaton deputeti i PD.

Gazeta Shqiptare