“Sa shpik armiq, lexo kushtet e BE, që shtohen çdo ditë”- Bardhi i përgjigjet Ramës: I pafuqishëm për të luftuar krimin pasi…

5 mars2020 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i kujton kryeministrit Edi Rama që të lexojë 9 kushtet që janë vendosur nga partnerët evropian dhe se ato me hapjen e negociatave mund të bëhen 11.

Pas deklaratave të kryeministrit Rama, Bardhi thotë se vendet anëtare të Bashkimit  Evropian nuk gënjehen nga deklaratat pompoze dhe ligjet në letër.

Duke nënvizuar se BE kërkon veprimet konkrete, Bardhi nënvizon se Rama është i pafuqishëm pasi pushteti i tij i ka rrënjët tek krimi dhe jo tek vota e lirë.

Reagimi i plotë i Bardhit:

Sa shpik “armiq” të rinj, të brendshëm e të jashtëm, Edi Rama bën mirë të lexojë kushtet e partnerëve europianë që shtohen çdo herë, për shkak të keqqeverisjes së tij.

Nga 9, kushtet për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Europian mund të bëhen 10 apo 11. Me Edi Ramën kryeministër nuk ka lajme të mira për Shqipërinë.

Vendet anëtare të Bashkimit  Evropian nuk gënjehen nga deklaratat pompoze dhe ligjet në letër. Ata duan veprime konkrete, por Edi Rama është i pafuqishëm të luftojë seriozisht krimin e organizuar. Pushteti i tij i ka rrënjët tek krimi dhe jo tek vota e lirë, prandaj  Edi Rama është e keqja më e madhe e vendit, është imazhi më i keq i Shqipërisë në Evropë. Shqipërisë i duhet ndryshimi për të bërë Shqipërinë si Evropa!

Gazeta Panorama