21 Nentor 2022

Sipërfaqja nën ujë në territorin e Bashkisë Shkodër është zgjeruar gjatë orëve të mbrëmjes, ku përveç reshjeve shkarkimet e hidrocentraleve po japin ndikimin e tyre.

Afro 1 mijë hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë sipas raportimeve të pasdrekes, ku Ana e Malit dhe Guri i Zi janë njësitë më problematike.

Kryetari i Bashkisë Shkodër Bardh Spahia ka parë nga afër situatën në disa njësi, ku fillimisht u ndal në Dajç.

Ai bëri të ditur se bashkia Shkodër ka marrë të gjitha masat për përballimin e situatës, ku konviktet janë në dispozicion të familjeve që do të evakuohen.

Spahia: Mos ta lëmë situatën në moment të fundit sepse duhet garantuar jeta e njerëzve. Kushdo që do të lëvizë t’i informojmë që kemi gati konviktet.

Pas Dajçit, Spahia u ndal në Kuç të njësisë administrative Gur i zi, ku situata në orët e pasdrekës është përkeqësuar dhe janë kryer evakuimet e para të familjeve.

Kryebashkiaku i bëri thirrje KESH që të informojë në kohë reale mbi shkarkimet pasi në varësi të tyre varen ndërhyrjet në terren.

Spahia: Ka një rritje të nivelit të ujit prandaj po informojmë qytetarët për rrezikun e bllokimit dhe u kemi dhënë numrat e kontaktit për ndihmë. Ka për të pasur shkarkime edhe gjatë natës duke përkeqësuar situatën. Drejtuesit e Kadastrës të na njoftojnë në kohë për shkarkimit.

Bashkia Shkodër vijon punën pa ndërprerje, duke i ardhur në ndihmë banorëve të rrezikuar me të gjitha kapacitetet e saja njerëzore e me mjetet që ka në dispozicion.

Rreth 1 mijë hektarë nën ujë në Shkodër, Spahia:

Nga OraNews