16 Shtator 2023

Organizatat kriminale shqiptare po shfaqin një rrezikshmëri të lartë dhe gjithashtu një përfshirje gjithnjë e më të thellë në aferat e paligjshme, sidomos në trafikun e drogës dhe të armëve.

Kështu thuhet në raportin e Drejtorisë Hetimore të Antimafias Italiane, për gjysmën e dytë të vitit 2022.

Sipas dokumentit, grupet shqiptare janë të mirëstrukturuara dhe e ruajnë pushtetin e tyre falë lidhjeve familjare.

Në të njëjtën kohë, ato rezultojnë teknikisht të pajisura dhe në gjendje të kryejnë aktivitete kriminale përmes grupeve më të vogla, të cilave u besohen detyra të caktuara.

“Për të gjitha këto arsye, këto shoqata kriminale shfaqen shumë të rrezikshme dhe luftarake”, thotë raport.

Gjithashtu, organizatat shqiptare janë të mirorganizuara edhe në nivel ndërkombëtar, përveçse të afta të ndërmjetësojnë në mënyrë direkte me kartelet amerikano-jugore për importin e sasive të mëdha të kokainës, që më pas u shpërndahen celulave bashkëkombëse që veprojnë në zonat kryesore të shpërndarjes së narkotikëve të Italisë.

Për këtë arsye, sikurse kanë treguar operacione të shumta antidrogë të kryera në rajone të ndryshme të Italisë, grupet shqiptare veprojnë në sinergji me ato kriminale autoktone italiane.

Sipas raportit, të ardhurat që shoqatat kriminale shqiptare kanë siguruar ndër vite nga trafiku i marijuanës, përmes të ashtuquajturit “aksi ballkanik”, janë investuar në trafikun e kokainës, lëndë e cila importohet përmes porteve tregtare në Anversa, Roterdam dhe Hamburg, ku me kalimin e kohës kanë arritur të infiltrohen në mënyrë efikase.

Raporti i DIA-s thotë më tej se, pozita gjeografike e brigjeve shqiptare përballë atyre puljeze vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm dhe është një nga arsyet përse grupet kriminale të dy vendeve punojnë me njëra-tjetrën.

“Rrjedhimisht, grupe të tilla përbëjnë një realitet të vërtetë e të mirëfilltë kriminal”, thotë raporti. Në të shtohet më tej se klanet shqiptare luajnë një rol të rëndësishëm edhe në trafikun e emigracionit klandestin dhe atë të qenieve njerëzore.