Rama pranon skandalet ‘Balluku’, ‘AKSHI’, ‘Agasi’ e ‘SHISH’ dhe justifikohet: Sistemi po e lufton korrupsionin

30 Shtator 2026
Në konferencën me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Edi Rama ka pranuar skandalet në qeverinë e tij, që janë me dhjetëra.
Në një kohë kur në qendër të debatit politik janë vendosur çështja e Belinda Ballukut, zhvillimet që lidhen me Ergys Agasin dhe skandali në SHISH, Rama zgjodhi ti justifikojë me faktin, se sistemi tani është duke luftuar korrupsionin.
Rama e pranoi në parim ekzistencën e problemit, por argumentoi se ndryshimi që ka ndodhur është se tashmë është vetë sistemi institucional që po e lufton korrupsionin.
“Nëse deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin”, deklaroi Rama.
Rama tha se me Von der Leyen kishte diskutuar pikërisht për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke e cilësuar atë një nga pikat kryesore të agjendës së Shqipërisë në raport me Bashkimin Europian.
“Kemi folur edhe për bilancin e përpjekjes madhore që Shqipëria po bën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha kryeministri.
Rama e artikuloi edhe më 27 shtator, pas zhvillimeve që përfshinë ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni. Edhe atëherë, ai tha se korrupsioni ekziston, por tani ka institucione që hetojnë, akuzojnë dhe gjykojnë.
