6 Maji 2023

SHKRUAR Nga ELMAS BOGDANI

Gazeta Sot.

Kryeministri Edi Rama paralajmeron tërheqjen e tij të papritur nga politika.

Qëndrimi i Ramës ka ndryshuar që me vizitën e zyrtarit të lartë të DASH Gabriel Escobar.

Baton Haxhiu, një nga këshilltarët mediatikë të kryeministrit Rama, tha se Rama nuk e ka përcaktuar ende se kush do të jetë trashëgimtari i tij në PS

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar së fundmi në një intervistë televizive tërheqjen e tij të papritur nga politika.

Largimi i tij do të jetë shumë afër, pasi kreu i qeverisë tha se kjo fushatë për zgjedhjet e 14 majit nuk është një parapërgatitje e tij për një mandat të katërt. Teksa ka përmendur mesazhet e forta nga amerikanët për politikanët që kanë vite që “mbretërojnë” të qetë në Shqipëri, Rama tha se arsyeja pse fokus është Sali Berisha dhe Ilir Meta, është sepse ata i sheh si kërcënim serioz për vendin. “Nëse i referohesh faktit që në fokus është Salikja, është se Shqipëria është në një kthesë të madhem, Shqipëria nuk ka qenë ndonjëherë më e respektuar ndërkombëtarisht.

Tani kur ata thotë që nuk individ, është i padëshirueshëm për ne, do të thotë që është për të gjithë perëndimin dhe këto individë, që kanë dhe problem të rënda me drejtësinë, tërheqin zvarrë njerëzit duke bërë spektakël me përralla, një 80 vjeç që tregon përralla dhe merr nëpër gojë ambasadoren amerikane, jo u futën, jo dalin, është degradim i madh dhe kërcënim, se kur vjen puna të bashkitë është pengmarrje. Kandidatët e tyre gjëja më absurde që kam parë”, tha kryeministri Rama.

Ultimatumi i Escobar

Gazeta “SOT” e tha ditën e djeshme se qëndrimi i Ramës ka ndryshuar që me vizitën e zyrtarit të lartë të DASH Gabriel Escobar, i cili me ultimatumet e tij në publik, por edhe në prapaskenë trazoi politikën shqiptare. Kryeministri si rrallë herë nuk komentoi asgjë rreth takimit me zyrtarin e DASH, madje as zyra e shtypit e kreut të qeverisë nuk nxori asnjë njoftim. Ajo që vëmë re është se Rama është “fikur” dhe ka rënë squll. Duket si një fushatë nga halli dhe e sforcuar.

Kjo vjen pasi Escobar dha sinjale të qarta se mazhorancën dhe koalicionin “non grata”, ku bën pjesë ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta i presin lajme tronditëse pas zgjedhjeve lokale. Pra deklarata e Ramës për tërheqje nga politika konfirmon sinjalet e SHBA se pritet të ketë ndryshime të forta. Pse e quajmë një reagim dhe një lëvizje të papritur të Ramës?

Rikujtojmë se në zgjedhjet e fundit të vitit 2021, Rama shpalosi për herë të parë vizionin për qeverisjen në Shqipëri.  Ai u shfaq i sigurt në fitoren e Partisë Socialiste jo vetëm në këto zgjedhje por edhe për 10 vite të tjera. “Nuk kemi akoma 8 vite në qeveri, se kemi filluar në fillim të shtatorit të 2013. Ditët, javët dhe vitet tona janë mbushur me punë dhe kur të bëhen 8 do kemi bërë më shumë punë. Programi ynë është i ditur publikisht. Ne kemi vendosur shtyllat, dhe vazhdojmë të punojmë. Ne do bëjmë publike një platformë me një program pune. Do jetë një vizion pune për Shqipërinë deri në vitin 2030. Që të jeni të qartë deri në 2030 do jetë PS në pushtet”, tha Rama në vitin 2021. Mos vallë ky ndryshim planesh i Ramës vjen nga ultimatumet e Escobar?

Këshilltari i kryeministrit rrëzon Erion Veliajn

Por nga ana tjetër, gazetari dhe analisti, Baton Haxhiu, një nga këshilltarët mediatikë të kryeministrit Rama i ftuar në një intervistë televizive, i rrëzoi këto skenare, madje ai nxori jashtë loje dhe Erion Veliajn. Duke folur për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 14 majit, është shprehur se, Rama e ka vendosur veten në krye të fushatës, sepse nuk e ka përcaktuar ende se kush do të jetë trashëgimtari i tij në PS. “Do ndaloj në disa elementë të kësaj fushatës. E para, që duhet të krijojë një fushatë është besimi.

E dyta është se nuk ka fushatë mes kandidatëve lokalë, nuk ekziston, as për programin, as çfarë ka ndodhur në 4 vitet e kaluara.  Fushata është për mandatin e 4-të. Figura e Ramës me të gjithë kryetarët e bashkive, po tregohet qartë se në PS-ja ende nuk është përcaktuar për trashëgimtarin e saj. E ky fakt, sjell që figura e Ramës është duke u përgatitur për pas datës 14 maj.  Për faktin që fushata ka liderin dhe një kandidat për bashki, kjo i bie se njerëzit që kanë besim tek Edi Rama, po shikojnë liderin e PS-së si kandidat për mandatin tjetër’’, tha Baton Haxhiu.