3 Qershor 2026

Kryeministri Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamjet e një grupi protestuesish nga tubimi i një dite më parë në kryeqytet kundër ndërtimeve në Zvërnec, të cilët iu drejtuan selisë rozë.

Rama ka postuar momentet kur protestuesit thërrasin me sharje e fyerje kundrejt kryeministrit duke i krahasuar me gjermanët nazistë apo kundërshtarët në Greqi ndaj investimeve. Rama thotë se i vetmi ndryshim është që “shqiptarët e vërtetë” nuk kanë lidhje me kundërshtimet e grekëve, ndryshe nga këta të fundit, një referencë për artikujt e mediave greke për Zvërnecin.

“Mysafirët e paftuar të natës në selinë e Partisë Socialiste

“Shqipëria e shqiptarëve” dhe këto çeta kinse shqiponjash që ulërasin kësisoj rrugëve, të kujtojnë “Gjermaninë e gjermanëve” me ata ulëritësat e verbër si këta mysafirët e natës tek selia e PS, që e kthyen Gjermaninë në thertoren e hebrenjve dhe e katandisën në delen e zezë të planetit.

Po meqë Gjermania naziste është larg dhe zëre se i kam përpara syve urrejtjenxitësit e këtyre të rinjve pa busull duke u thënë, “ju s’jeni nazistë ju jeni patriotë, prandaj jepini fort gojës së shthurur se do ta djegim Shqipërinë e tradhtarëve”, po shtoj që kjo “Shqipëria e shqiptarëve” është tëpkë si “Greqia e grekëve”, ajo e atyre çakejve të Agimit të Artë që donin t’i digjnin të gjallë “tradhtarët” e Greqisë bashkë me shqiptarët, të cilët sipas tyre po merrnin punët e paratë e popullit grek.

Çuditërisht edhe ata ishin kundër investimeve e resorteve cilësore, me të vetmin ndryshim se këta “shqiptarët tanë të vërtetë” nuk kishin gisht në kuturisjen e atyre, kurse ata kanë gishtin e tyre në kuturisjen e këtyre.

Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë thuhet në këto raste!”, shkruan Rama.