Ekskluzive: Prapaskenat e azilit politik, a ka refuzuar Kryeministri dy propozime gjatë orëve të fundit

18 Tetor 2026
Përshkallëzimi në rrugët e Tiranës, pas katër muajsh protestash paqësore pa reflektim, ka aktivizuar diplomacinë evropiane në një përpjekje për të zgjidhur krizën shqiptare. Sipas një burimi diplomatik, kryeministrit Edi Rama i janë paraqitur dy propozime konkrete për një tërheqje paqësore. Përgjigja deri tani ka qenë refuzuese
Përshkallëzimi i tensioneve në rrugët e kryeqytetit, pas një periudhe katërmujore protestash paqësore që nuk gjetën reflektim, duket se ka lëvizur ujërat në kancelaritë më të rëndësishme evropiane. Një burim diplomatik tha për gazetën Dita se kryeministri Edi Rama ka refuzuar së fundmi dy propozime për dorëheqje, me qëllim qetësimin e situatës dhe vazhdimin e procesit të integrimit.
Sipas të njëjtit burim, përpjekja e parë ka ardhur nga Berlini thuajse menjëherë pas shpërthimit të dhunës në rrugë. Përmes kanaleve konfidenciale, Gjermania i ka përcjellë kreut të qeverisë kërkesën për tërheqje nga detyra me qëllim uljen e tensioneve në vend.
Refuzimi i mënjëhershëm i këtij propozimi nga ana e z. Rama solli edhe reagimin e parë publik nga Berlini. Në një deklaratë zyrtare të Ministrisë së Jashtme gjermane, të transmetuar nga rrjeti në gjuhën shqipe i Deutsche Welle-s institucioni nënvizoi se kërkesat e Gjermanisë ndaj Tiranës zyrtare përkojnë me ato të protestuesve duke aluduar qartë mbi nevojën për dorëheqje dhe hapjen e rrugës për zgjidhje politike.
Së dyti, një tjetër iniciativë është ndërmarrë nga diplomacia austriake. Oferta e Vjenës, përveç kërkesës për dorëheqje, përmbante edhe një “garanci politike” për një tërheqje pa pasoja ligjore e penale. Rama e ka refuzuar edhe këtë, qëndrim që është reflektuar në anulimin e një vizite të paralajmëruar për të hënën në Vjenë. Përpjekja për ta bindur u bë në momentet e fundit edhe publike nëpërmjet një postimi që ka ngjallur hani në Tiranë.
Në kryeqytetin austriak prej kohësh qëndrojnë personat e akuzuar nga SPAK për aferën e inceneratorëve. Një nga personat e strehuar atje i ka dorëzuar autoriteteve një hard-disk me të dhëna financiare e pagesa ku implikohet kryeministri. Ky zhvillim lidhet me raportimet e fundit për përgatitjen e një dokumentari investigativ, i cili ende nuk është transmetuar, por që ka rritur presionin mbi Tiranën zyrtare.
Sipas burimit, Kryeministrit i është bërë e qartë se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE do të vazhdojë i papenguar, madje se tërheqja e tij personale do të shoqërohej me deklarata lëvduese dhe do t’i shërbente këtij udhëtimi evropian.
Mirëpo, kjo pikë duket se ka krijuar irritimin më të madh te kryeministri. Idea e një procesi që mund të përmbyllet pa praninë e tij në krye të vendit ka prodhuar efekt të kundërt nga ai që pritnin negociatorët.
Ambalazhimi emocional dhe gjendja e nervozizmit lidhur me këtë pikë u shfaqën qartë edhe gjatë fjalimit të tij të fundit në Facebook, ku me mimikë të egërsuar dhe tonacion të ashpër shpërtheu: “Jeni të paaftë, jeni mediokër, vetëm unë e fus Shqipërinë në BE”.
Sidoqoftë, realiteti diplomatik sot dëshmon një tablo tërësisht të ndryshme, pikërisht të kundërtën e asaj që kryeministri pretendoi publikisht.
Përmes refuzimit të një tërheqjeje paqësore dhe udhëtimit të vendit drejt BE-së pa praninë e tij, kryeministri duket se ka zgjedhur për protestat rrugën e përgjigjes ndaj dhunës me dhunë. Ky vendim do mbartë kosto të rënda sociale e politike për vendin. Veç kësaj, e shndërron atë, në vetë të parë, nga pretenduesi i integrimit në penguesin kryesor të tij.
Gazeta Dita
