17 Gusht 2022

Ushtria amerikane bëri të ditur se ditën e djeshme më 16 gusht zhvilloi me sukses një provë me raketën balistike ndërkontinentale “Minuteman 3”, provë e shtyrë për të shmangur shkallëzimin e tensioneve me Kinën, gjatë manovrave që Pekini kreu pranë brigjeve të Tajvanit.Prova me raketë tregon “gatishmërinë e forcave bërthamore amerikane dhe tregon besim në forcën goditëse dhe efektshmërinë e politikës amerikane të frenimit bërthamor”, thuhet në njoftimin e ushtrisë amerikane.

Një mesazh i koduar për Vladimir Putin dhe Xi Jinping? Duhet parë edhe kështu, SHBA tregon se është gati për çdo rast. Mes të tjerash duket se testi u anulua më 4 gusht kur kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi ishte për vizitë në Tajvan. Ky vendim për ta shtyrë testimin u mor pikërisht për të shmangur një përshkallëzim me Kinën.Zyrtarët thanë se në të kaluarën janë kryer rreth 300 prova të kësaj natyre dhe e tanishmja nuk lidhet me ndonjë zhvillim të caktuar ndërkombëtar.

Në muajin prill ushtria amerikane anuloi një tjetër provë me raketën ndërkontinentale për të ulur tensionet bërthamore, ndërsa Rusia po kryente sulmin në Ukrainë. Raketa “Minuteman 3”, prodhim i firmës Boeing, e aftë të pajiset me mbushje bërthamore, është një nga raketat kryesore të arsenalit bërthamor amerikan. Ajo ka një rreze prej mbi 9600 kilometrash dhe lëviz me një shpejtësi mbi 24 mijë kilometrash në orë.

Presidenti rus Vladimir Putin tha në shkurt se forcat bërthamore të Rusisë duhet të viheshin në gatishmëri të lartë. Por zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk kanë parë asnjë arsye deri më tani për të ndryshuar nivelet e alarmit bërthamor të Uashingtonit. Ndërkohë vizita e Pelosit në Taipei shqetësoi shumë Pekinin, i cili  ka nisur stërvitjet e gjera ushtarake rreth ishullit të Tajvanit.

Gazeta Sot