Disa nga Faturat që Rama na detyrohet…

Faturat që Rama na detyrohet…
23 Tetor 2026
Nga Dori Xhima
Reagimi i kryeministrit Rama vijon të mbetet i njëjti. Përpjekje obsesive për t’i veshur protestuesve çdo lloj etikete të mundshme. Artikulon me sjellje dhe fjalor që asnjë shtetar nuk ia lejon vetes, lloj lloj përkatësie për ata që protestojnë, nga grekët ziliqarë për turizmin në fillim, pastaj te ndikimi iranian, te hijet ruse e së fundmi te lëvizjet kundër naziskinëve si Antifa.
Sot, tabloja u plotësua me portretizimin e disave me të kaluar kriminale, që sipas kryeministrit janë parë në protestat kundër tij.
Asnjë nuk e mohon se në turmat e protestave mund të depërtojnë individë sipas dëshirës së tyre apo edhe me qëllime të caktuara. Edhe të futur nga vetë pushteti e partitë e vjetra të sistemit për të njollosur frymën e pastër studentore, apo jo? Ka ndodhur në protestën e disa viteve më parë, pse të mos ketë ndodhur dhe tani.

Faturat që Rama na detyrohet…
Por kjo analizë e qëllimshme mënjanon me vetëdije protestuesin real. Ai është i riu shqiptar, gjimnazisti e studenti që nuk përfaqëson asnjë agjenci të huaj e asnjë agjendë politike, përveç të ardhmes së tij. Kërkesat e tij janë tepër të qarta dhe të pamundura për t’u përballuar me propagandë.
Për të kuptuar këtë distancë midis diskursit zyrtar dhe realitetit të rinisë, mjafton të shihni përballjen e dy videove më poshtë:
Rama paralajmëron me “faturën e dëmeve”
Në videon e parë, dëgjojmë kryeministrin tek kërcënon se çdo dëm gjatë protestës do t’u dërgohet në shtëpi familjeve të protestuesve dhe se secili do të paguajë faturën financiare për çdo shkatërrim material.
Përgjigja e të riut: Faturat që Rama na detyrohet
Në videon e dytë, një i ri i përgjigjet drejtpërdrejt këtij kërcënimi. Me një qartësi mbresëlënëse, i kujton Kryeministrit faturat e vërteta që i ka lënë Shqipërisë. Janë faturat e e aferave korruptive miliardëshe, por mbi të gjitha, fatura morale të humbjes së shpresës. Faturën e një brezi të tërë që e vetmja zgjidhje që i ofrohet është ikja nga vendi.

Faturat që Rama na detyrohet…
Për sa kohë, reagimi ndaj revoltës rinore do të jetë etiketimet e shpifura, dhuna policore dhe kërcënimi me fatura materiale, pushteti do të vazhdojë të mbetet i verbër ndaj faturës më të madhe që po paguan ky vend, zbrazjes nga brezi i ri dhe së fundmi armiqësimi pa kthim me këtë brez.
