Kryeministri Edi Rama është shfaqur këtë të premte në rolin e një “kryeprokurori”, duke lexuar me iniciale, fotografi të censuruara dhe skeda penale listën e personave të arrestuar gjatë protestave të fundit. Përmes këtij hapi, kreu i qeverisë tentoi të dëshmojë se pas akteve të dhunës nuk qëndrojnë studentët, por individë me precedentë të rëndë penalë, përfshirë edhe raste të dënimeve të mëparshme për vrasje. Megjithatë, kjo dalje publike ka dritësuar një paradoks të fortë politik dhe moral, duke risjellë në vëmendje standardet e dyfishta që kryeministri përdor kur bëhet fjalë për përballjen me drejtësinë.

Kur zyrtarë të lartë të qeverisë së tij, ministra, deputetë apo kryebashkiakë janë përballur me akuza të rënda korrupsioni, inceneratorësh apo abuzimesh mediatike me fondet publike, retorika e Ramës ka qenë tërësisht ndryshe. Në ato raste, kryeministri ka mbajtur gjithmonë pozicionin e mbrojtësit të parimit të prezumimit të pafajësisë, duke u bërë thirrje mediave dhe opozitës që të mos bëjnë gjyqe publike përpara se të flasë gjykata. Sot, ky parim duket se u arkivua tërësisht. Përballë revoltës studentore dhe bojkotit që po lëkund linjat e pushtetit, Rama zgjodhi të bëjë pikërisht atë që dikur e dënonte me forcë, duke zhvilluar një gjyq të hapur publik, me dosje hetimore në dorë, dhe duke marrë atributet e organit të akuzës përpara se drejtësia të japë fjalën e fundit.

Kjo lëvizje është shenjë e qartë e presionit dhe frikës nga humbja e kontrollit të pushtetit. Kur argumentet politike dhe ofertat e qeverisë për lehtësim qirash apo bonusesh nuk po arrijnë të shuajnë revoltën legjitime të studentëve, strategjia e radhës mbetet kriminalizimi i lëvizjes. Duke i veshur protestës petkun e krimit të organizuar dhe duke cituar dënime të vjetra me burg, kryeministri tenton të zhvendosë vëmendjen nga thelbi i problemit, që është dështimi për të adresuar kërkesat jetike të rinisë universitare.

Kjo qasje shpërfaq një kontrast të thellë në mënyrën se si qeveria e sheh të drejtën. Për zyrtarët e korruptuar kërkohet maturi, respektim i procedurave, pritje e vendimeve të formës së prerë dhe asnjë sulm mediatik, ndërsa për protestuesit e rrugës ndodh ekspozimi i menjëhershëm me iniciale, leximi i skedave të kaluara dhe dënimi publik pa u tharë ende boja e procesverbalit të arrestimit.

Në përpjekje për të shpëtuar imazhin e qeverisë dhe për të frenuar hovin e një bojkoti që po zgjat, Edi Rama sot nuk foli si lideri që kërkon dialog, por si një prokuror politik në panik nga forca e një revolte që nuk po e menaxhon dot më me mjetet e zakonshme të propagandës.