24 Maji 2026

Tirana ndodhet përballë një realiteti alarmant mjedisor, ku cilësia e ajrit po kthehet në një kërcënim serioz për shëndetin e banorëve. Sipas të dhënave të fundit nga platforma globale e monitorimit IQAir, Tirana renditet si qyteti i 1990-të më i ndotur në botë nga 9,446 qytete të analizuara.

Kjo statistikë tregon qartë se kryeqyteti shqiptar mbetet larg standardeve të shëndetshme, duke u pozicionuar në një zonë rreziku ku ndotja është e vazhdueshme.

Analiza e vlerave të grimcave të imta PM2.5 për periudhën 2020-2025 nxjerr në pah një luhatje shqetësuese. Pavarësisht një rënieje të lehtë në vitin 2025 me një mesatare vjetore prej 12.9 µg/m³, niveli mbetet më shumë se dyfishi i normës së sigurisë së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila këshillon një limit prej 5 µg/m³.

Historiku i viteve të fundit dëshmon për një krizë të pandalshme, në vitin 2020 nivelet ishin 16.0 µg/m³, në 2021 ishin 12.5 µg/m³, në 2022 ishin 14.5 µg/m³, ndërsa në vitin 2023 arritën pikun e 16.7 µg/m³, për të vijuar me 14.5 µg/m³ në vitin 2024. Këto shifra vërtetojnë se ajri në Tiranë thithet në kushte toksike thuajse çdo vit.

Ky realitet mbështetet edhe nga raporti teknik i organizatës Co-PLAN, i publikuar në mars 2025, i cili identifikon qytetin si një zonë në ndotje konstante. Raporti konfirmon se zonat me densitet të lartë ndërtimi, si Ish-Stacioni i Trenit, Kombinati, zona e Unazës dhe Rruga e Elbasanit, mbyten nga grimcat PM2.5, PM10 dhe dioksidi i azotit.

Përveç cilësisë së ajrit, Co-PLAN raporton një krizë të dyfishtë përmes ndotjes akustike, ku zhurmat urbane tejkalojnë nivelet e tolerueshme për gjumin dhe mirëqenien, si pasojë e mbingarkesës së trafikut dhe planifikimit urban kaotik.