Qindra milionë euro po hyjnë në tregun formal nga kriminaliteti dhe mafia. –

Shpërndaje në Facebook
Tweet në Twitter

A picture illustration shows Euro banknotes in Zenica January 26, 2015. REUTERS/Dado Ruvic

-Politikanë e pushtetarë të fshehur pas firmave private, grupe kriminale, etj të gjithë janë sulur për ti “pastruar” paratë e drogës dhe korrupsionit në ndërtim e turizëm. Qindra milionë euro është hedhur në qarkullim, e cila nuk vjen nga kanalet bankare, por nga informaliteti kriminal.

Për më shumë se 6 muaj Shqipëria po përballet me fenomenin e zhvleftësimit të monedhës euro dhe forcimit të lekut. Kursi i këmbimit të monedhës euro arriti në shifra që nuk ishin regjistruar që nga vitet 2001.  Rekordi arriti disa ditë më parë kur këmbimi i euros arriti në shifrën 124 lekë.  Bizneset vendase që merrem me import-eksport mallrash u gjendën në një situatë të papërgatitur që u ka sjellë milionë lekë humbje për shkak të ndryshimit të kursit. Shifrat flasin për më shumë se 120 milionë euro humbje vetëm nga pikiata e monedhës evropiane. Ndërkohë që gjithë ekonomia që përdorte euro si monedhë ka rezultuar me humbje në këtë periudhë.

Situata u bë alarmante dhe vetëm dy ditë më parë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u detyrua të ndërhynte duke blerë valutë në treg. Ndërhyrja urgjente që bëri Banka e Shqipërisë dha efekt të menjëhershëm. Ditën e djeshme në pikat e këmbimit u vu re një rritje e lehtë e monedhës euro. Zgjidhja me ndërhyrjen e Bankës mund të normalizojë efektin në kursin e këmbimit, por nuk tregon se cilat ishin problemet reale. Ndërhyrja e Bankës duket se ka më shumë efektin e një aksioni psikologjik dhe pikat e këmbimit po reagojnë për inertësi, pasi situata realisht me eurot që vijnë jashtë sistemit vazhdon të jetë njëlloj.

Ekspertët thonë se ajo që ndodhi me euron këtë vit ka lidhje vetëm me paratë e pista që janë hedhur në qarkullim nga grupet kriminale dhe politika e lidhur më krimin. Si rregull, rritja e vlerës së lekut do të ishte normale nëse në Shqipëri do të kishte investime të bizneseve vendase, ose qeveria do të kishte hapur “thesin” e buxhetit për investime të mëdha. Po ashtu, rritja e euros mund të ndodh nëse bankat do të kishin rritur sasinë e kredive që japin për kompanitë. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Ulja e çmimit të euros ka ardhur për shkak futjes në treg të sasive të mëdha monetare të cilat kanë ardhur jashtë sistemit bankar. E thënë ndryshe, qindra milionë euro kanë hyrë nga rrugë ilegale në ekonominë e ligjshme duke sjellë dhe tronditjen e kursit të këmbimit. Të vetmet “biznese” që kanë lulëzuar me shumicë këto vite janë trafiqet dhe aktivitetet kriminale. Mijëra tonë hashash që u mbollën në vitet 2014-2016 duket se tashmë kanë dhënë produktin e tyre monetar, i cili duhet të pastrohej në ekonominë e ligjshme. Pothuaj të gjitha aktivitetet kriminale, si shitja e drogës bëhen në vendet e BE dhe përdoret si mjet këmbimi monedha euro. Kjo shpjegon edhe faktin se euro është ulur për shkak të parave të pista, pasi nëse do të ishte për shkaqe të tjera kursi i këmbimit do të ndjehej edhe te dollari apo dhe monedhat e tjera. Këto para janë injektuar në ndërtim dhe turizëm gjë që ka sjellë lëkundjen e tregut të këmbimit valutor. Ndërtimet janë i vetmi sektor që ka pasur rritje gjatë viteve të fundit dhe pa marrë kredi nga bankat. Ndaj logjika normale të bën të mendosh se burimi i vetëm i të ardhurave të bizneseve është vetëm pastrimi i parave nga aktiviteti kriminal.

A picture illustration shows Euro banknotes in Zenica January 26, 2015. REUTERS/Dado Ruvic

Pasuritë e bizneseve kriminale kanë arritur të tronditin kursin e këmbimit duke çuar drejt falimentit bizneset e ligjshme. Mafia po hyn në ekonominë e ligjshme dhe kjo ndodh jo vetëm falë aftësive të krimit, por edhe mbylljes së syve nga qeveria. Gjithë këto transaksione parash dhe miliona euro që hyjnë në sistemin e ekonomisë duhet të kishin ngritur me kohë alarmin e qeverisë dhe institucioneve ligjzbatuese. Deri më sot nuk ka asnjë hetim formal nga prokuroria për të ndjekur burimin e parave që janë hedhur dhe treg. Po ashtu, nuk ka asnjë masë nga qeveria që të mundohej të normalizonte situatën.

Politikanë të fshehur pas firmave private, grupet kriminale, qeveria, etj të gjithë janë sulur për ti “pastruar” paratë e drogës dhe korrupsionit në ndërtim e turizëm. Qindra milionë euro është hedhur në qarkullim, e cila nuk vjen nga kanalet bankare, por nga informaliteti criminal. Prokuroria duhet të hetojë leje ndërtimi dhe kush fshihet pas tyre, paratë nga vijnë, nga thasët me euro në shtëpi apo nga kredi bankare.

A.Marku