Gërmime në Durrës, zbulohen objekte të rëndësishme arkeologjike. –

Objekte të rëndësishme arkeologjike janë zbuluar gjatë gërmimeve në “Forumin Bizantin” në Durrës.

Ekspedita arkeologjike shqiptaro-franceze ka arritur të nxjerrë në dritë disa objekte që datojnë nga shekulli i II-të dhe i III-të pas Krishtit.

Objektet janë konkretisht enë qeramike prej balte e qelqi, bizhuteri, si dhe enë bronxi.

Arkelogu Eduart Shehi shprehet se këto objekte tregojnë braktisjen e menjëhershme të një banese të rrëzuar në mënyrë dramatike.

Puna e arkeologëve nisi me pastrimin e sipërfaqes, për të vijuar më pas me gërmimet.

Gjatë punës së tyre, ata kanë zbuluar fragmente muresh që i përkasin shtresëzimit të periudhës romake.

Gërmimet po kryhen në pjesën jugore të Forumit Bizantin, për të bërë lidhjen midis banjave që i përkasin periudhës romake, që gjenden poshtë pallatit të kulturës.

Ekspedita franceze pritet të dalë pas një muaji me konkluzionet përfundimtare mbi zbulimet arkeologjike të qytetit antik të Durrësit.

s.a/dita