Qeparoi i Vjeter

Qeparoi

Qeparoi u ndërtua aty ku shndërriste një dritë mes errësirës! Kështu thotë legjenda që historinë e ka ndarë mes Qeparoit të ri dhe Qeparoit të vjetër. Pasi kalon gjirin e Porto Palermos shfaqet lugina e Qeparoit mbushur me agrume dhe ullinj, në krah të saj është plazhi i gjatë dhe në horizont deti blu. Nëse nisesh nga Himara duhen vetëm 13 km udhë. Panorama të tilla tipike mesdhetare janë perla të rivierës shqiptare. Banorët thonë se emri i fshatit Qeparo vjen nga bima e qiparisit që në këto zona është i kudondodhur.

Plazhi poshtë ka rërë të hollë dhe deti në metrat e parë është i cekët ndryshe nga brigjet e Dhërmiut dhe Jalit. Në gjirin e vogël të Qeparoit gjen molin e vjetër ngritur mbi gurë masivë.  Rruga për në qendër të fshatit gjarpëron mes ullishtave dhe kulmon aty me pamjen hijerëndë të një manastiri dhe një kishe. Dy objektet e stilit bizantin i përkasin shekullit të 18-të dhe njihen për ikonostasët e drurit.

Qeparoi i Vjeter

Qeparoi i vjetër është unik në stilin e tij arkitekturor. Shtëpi prej guri disa katëshe me dritare qe shohin nga deti lidhen me njëra tjetrën nëpërmjet rrugëve me kalldrëm. Fshati i vjetër ndodhet lart mbi kodrat që i ndan nga pjesa poshtë vija e pemëve të shumta dhe rruga kombëtare. Qeparoi njihet për monumente të vizitueshme nga turistët si Kulla e Ali Pashës që ndodhet rreth 1 km në veri të fshatit. Ndërtimi është prej guri me motive tipike të përdoruar në gjithë këtë zonë. Një viletë e madhe që ndodhet mes maleve dhe sheh jo vetëm nga deti por edhe nga rrugët e Qeparoit të vjetër. Rrënojat e Kalasë së Qeparoit janë një tjetër ndalesë interesante. Dëshmi të vendbanimeve të hershme gjurmët ndodhen mbi kodra të larta shkëmbore. Pjesa e sipërme e fshatit dominohet nga manastire dhe kisha të vjetra.

Ato pasurohen prej dekorit të shtëpive të gurta që restaurohen herë pas here. Qeparoi gjallërohet gjatë muajve të ngrohtë nga turistët e shumtë që zgjedhin këtë zonë për arkitekturën, natyrën e pasur, ushqimet fantastike dhe plazhin e qetë e të bardhë. Mos t’ju duket çudi kur në rrugët me kalldrëm të Qeparoit të përshendeteni me francezë apo britanikë. Disa prej tyre nuk janë turistë. Ata kanë blerë shtëpi në Qeparoin e vjetër, për ta jetuar ndriçimin mistik të fshatit, siç thoshte legjenda.

Nga: IntoAlbania