Putin “lihet në baltë” nga një aleat i ngushtë.  Ish-republika sovjetike refuzon të çojë trupa në Ukrainë. Nuk njeh as pavarësinë e Donetsk dhe Luhansk

2 Mars 2022

Kazakistani, një nga aleatët më të afërt të Rusisë, ka refuzuar kërkesën që t’i bashkohet me trupa ushtarake ofensivës ruse në Ukrainë, si dhe nuk do të njohë të ashtuquajturat republika e saposhpallura të Donetsk dhe Luhansk.

Përkundrazi, një aeroplan me ndihma humanitare do të niset nga Kazakistani për në Ukrainë më datën 3 mars.

Si një ish-republikë sovjetike, Kazakistani mban marrëdhënie të ngushta me fqinjin e tij jugor, Rusinë. Të dy vendet janë anëtarë të ekonomisë euroaziatike dhe të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), sipas së cilës Rusia dërgoi ushtrinë e saj për t’u marrë me trazirat e janarit në Kazakistan.

E megjithatë, Kazakistani deklaron se nuk i njeh republikat e krijuara nga Rusia dhe të mbështetura nga presidenti Vladimir Putin, si një pretekst për agresionin mbi Ukrainë.

Një zhvillim befasues nga një aleat tradicional i Rusisë, që ka gjetur mbështetjen e SHBA-ve.

“Ne mirëpresim njoftimin e Kazakistanit se ata nuk do të njohin LPR dhe DPR. Ne mirëpresim gjithashtu refuzimin e Kazakistanit për të dërguar forcat e tij për t’iu bashkuar luftës së Putinit në Ukrainë”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve.

Në të kaluarën, Kazakistani ka refuzuar të njohë aneksimin e Krimesë dhe të ashtuquajturat republika të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, territore gjeorgjiane të pushtuara nga trupat ruse pas luftës së gushtit 2008 midis Rusisë dhe Gjeorgjisë.

Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, duke folur në një kongres të partisë në pushtet, tha se pozicioni i vendit të tij “duhet të rrjedhë nga nevoja kritike për të garantuar sovranitetin e sigurisë dhe integritetin territorial të shtetit”.

“Si vend që priti samitin e OSBE-së në vitin 2010, ne këmbëngulim në parimin e pandashmërisë së sigurisë euroaziatike. Parimi i pandashmërisë dhe sigurisë së përbashkët përcakton mirëkuptimin e ndërsjelltë, të bazuar në besimin reciprok. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur. Marrëveshjet e Minskut mbetën vetëm në letër, gjë që çoi në operacione ushtarake në territorin e Ukrainës”, tha Tokayev.

Presidenti kazak bëri gjithashtu thirrje për një zgjidhje përmes negociatave.

Gazeta Panorama