Puka po shpopullohet frikshëm

7 Dhjetor 2025
Puka mbetet ndër qytetet e cila është prekur masivisht nga emigrimi. Vetëm nga shifrat zyrtare janë 9.500 banorë të larguar që kanë emigruar ose janë vendosur në qytete të tjera në 12 vitet e fundit.
Zëvendëskryetari i bashkisë Pukë, Ferit Ringaj thotë se fshatrat po braktisen totalisht ndërsa largime të mëdha ka edhe brenda qytetit të Pukës, kjo për shkak të mungesës së investimeve në infrastrukturë në këto 15 vitet e fundit.
“Për ne është një situatë shqetësuese sepse kemi fshatra të braktisur totalisht nga popullsia ose ata banorë që kanë mbetur aty janë mosha e mesme e lartë ose mosha e tretë. E kemi ngritur edhe ne si shqetësim edhe në institucione qëndrore dhe kudo tjetër por realiteti është i hidhur dhe kjo ka shkaqet e veta. Censusi i vitit 2023 e ka dhënë fare qartë pasqyrimin e realitetit në zonat tona. Ne kemi një popullsi me rreth 15.600 banorë në gjendje civile por me census si bashki Pukë kemi dalë 6.100.
Dihet diferenca dhe se kjo popullsi ka lëvizur si brenda territorit të Shqipërisë por edhe në emigrim. Shkaqet kryesore janë mungesa e infrastrukturës në zonat rurale, aty ka qenë problematike kryesore sepse ka fshatra që për një urë kanë lëvizur. Bashkia ka bërë një sërë projektesh dhe unë e kam ngritur zërin edhe në Prefekturë, edhe në institucione të tjera që mungesa e investimeve infrastrukturore për ura dhe rrugë ka bërë që këto zona të shpopullohen. Duke u shpopulluar bie edhe numri i nxënësve në institucionet arsimore dhe pastaj vijon me personelin shëndetësor dhe mungesa e shërbimeve shëndetësore, pra është një zinxhir i gjerë që sjell lëvizjet dhe emigrimin e popullsisë. Bashkia me politikat e saj zhvillimore fokusin e saj e ka tek shërbimet.
Ne nuk na është zvogëluar gama e shërbimeve sepse të njëjtat kemi. Një rrugë të mirëmbajtur duhet ta mirëmbajmë si për 2 familje ashtu edhe kur ishin 100 familje. Në gjithë politikat tona janë projekte që kemi hartuar por jemi bashki e vogël dhe mundësitë për t’i përballuar me të ardhurat tona nuk i kemi sepse buxheti aq mundësi ka dhe aq kapacitet kemi ne dhe nuk është i mjaftueshëm për të realizuar pritshmëritë që kanë qytetarët. Megjithatë ne kemi bërë shumë projekte dhe strategjia jonë është që të bëjmë shumë projekte, t’i orientojmë drejt institucioneve qëndrore, të aplikojmë për të gjitha thirrjet që kanë hapur ministritë dhe institucionet qëndrore por lë shumë për të dëshiruar mbështetja që kemi patur nga institucionet qëndrore për investime në infrastrukturë dhe në çështje të tjera që lidhen me interesin për Pukën.
Ajo që ngelet ku ne po japim orientime është zhvillimi i turizmit malor në mënyrë që jo vetëm ata që kanë ikur të rikthehen dhe të rregullojnë shtëpitë e tyre por mbi të gjitha të kenë mundësi që edhe njerëzit të vijnë për të shijuar sepse Puka vërtetë ka atraksione shumë të mira turistike, çdo kush që vjen ka çfarë të marrë nga Puka, qoftë tek turizmi kulturor, historik por edhe klima e jashtëzakonshme dhe peizazhet e bukura që ka Puka të cilat kërkojnë investime dhe përkrahje që përveç buxhetit të bashkisë që është i pamjaftueshëm duhet mbështetja e institucioneve qëndrore për mbështetje me fonde të ndryshme”, u shpreh Ringaj.
Myftiu i Pukës, Imam Gëzim Kopani në një studim të tij .për 20 vitet e fundit që ka shërbyer në detyrë, rezulton se mbi 61% e besimtarëve myslimanë janë larguar pas vitit 2005 dhe deri më tani.
Myftiu jep edhe një të dhënë alarmante teksa thotë se në 1930, pra 95 vite më parë, Puka kishte 3.300 banorë më shumë se sot dhe kjo vetëm nga shpopullimi masiv.

Iballja
“Është një studim që unë si Myfti e kam bërë gjatë 20 viteve në të cilat unë shërbej në këtë detyrë. Studimi përfshin vetëm vende në rrethin e Pukës duke përfshirë edhe Fushë Arrësin ku ne kemi besimtarë. Nga të dhënat na ka dalë një rezultat befasues ku janë larguar rreth 61% e myslimanëve krahasuar me periudhën 1991-2005. Pas vitit 2005 rezulton një përqindje shumë e lartë e largimit të besimtarëve, kjo sipas disa shkaqeve, ekonomike, papunësie, varfëria, për një jetë më të mirë e të tjera. Statistikat na kanë treguar se largimin më të madh e kanë fshatrat. Kemi fshatrat Peshkëv, Meqe, Flet, Blerim që pothujse janë drejt boshatisjes totale. Një nga këto ka vetëm dy frymë nga 60 që kanë qenë më përpara. Na rezulton gjithashtu se janë larguar shumë edhe familje me fëmijë. Në Pukë janë 40% e familjeve të larguara, në fshatra kjo shifër është shumë më e lartë. Kemi vënë re një lëvizje të madhe të rinisë dhe rreth 70% janë djem dhe mbi 50% janë vajza të larguara. Është një panoramë e frikshme dhe e dhimbshme mbi atë që po ndodh në rrethin e Pukës në përgjithësi. Nga censusi i vitit 2023, Puka rezulton me rreth 11.100 banorë ndërsa censusi i 2011-ës ka patur më shumë. Ajo që do e cilësoja si të frikshme është se numri i banorëve i vitit 2023 nëse do të krahasohet me atë të 1930, rezulton se në 1930 rrethi i Pukës ka patur 14.400 banorë. Kemi 3.300 banorë më pak se në vitin 1930. Duhet ta shikojmë, të alarmohemi dhe ta studiojmë se cilat janë shkaqet reale, cilët janë faktorët që kanë ndikuar sepse nëse nuk e bëjmë këtë dhe vazhdon kjo situatë atëherë do të jetë një hemoragji e jashtëzakonshme dhe shumë e dhimbshme. Do ndikojë në jetën tonë, komunitete fetare dhe te jeta e gjithsecilit”, shprehet Imam Gëzim Kopani.
Shumë shtëpi në fshatrat e Pukës por edhe në qytet janë shembur për shkak të largimit të banorëve të cilët kanë ndërtuar një jetë të re dikund tjetër. Ky eksod masiv në Pukë, Fushë Arrëz dhe qytete të tjera veriore vijon çdo ditë pa ndalim duke krijuar një shqetësim të madh që nuk po gjen zgjidhje.
Nga Gazeta Sot
