9 Korrik 2023

Propozimi i ri për të zëvendësuar Çuçin është njeriu që shkoi në komisariat ti bënte presion ish policit Emiliano Nuhu, për të mbrojtur birin dhe nipin e deputetit Rahja. Dhe kështu historia përsëritet, Rama ndryshon shërbëtorët, por vendi qeveriset nga e njëjta mendësi kriminale. 

Në trajektoren e një shumice qeverisëse shkarkimi i një ministri të brendëshëm dhe dorëheqja e një deputeti brenda së njëjtës ditë, përbëjnë nga ato ngjarje që shenjojnë gjithë mandatin katër vjeçar. I tillë do duhej të kishte qenë edhe largimi i Blendi Çucit dhe nxjerrja jashtë parlamentit e Rahman Rajës. Ato mund të konsideroheshin si reagimi i atypëratyshëm i një shteti me brekë nëpër këmbë, fytyrën e të cilit e pamë të përdhosur përmes videos me shkopa bejsbolli, të njërës prej bandave më të fuqishme politikisht të Fushë Krujës. 

Shefi i qeverisë nuk do të mund ta kapërdinte dot nerverinë dhe revoltën që ngjallën ato imazhe. Për egon e tij ishte e papranueshme që ato morën vënëndjen e publikut, ndërkohë që ai luante rolin e preferuar të negociatorit Ballkanik, duke bredhur brenda dy ditëve pesë kryeqytete të rajonit. 

Ka edhe më. Mënyra e mefshët dhe e tredhur politikisht me të cilën e trajtoi policia e shtetit këtë ngjarje, lanë një ndjenjë edhe me të keqe se videoja e egër, ku dëgjoheshin britmat “vrite, vrite”.

Ashtu sikurse u raportua në dhjetra lajme, u pa se uniformat blu ishin të pafuqishëm ndaj banditëve lokalë me kostum rilindasi. Ato as mund të reagonin pa urdhër nga lart, e as nuk mund ti prangosnin, aty për aty, protagonistët e atij episodi barabar.

Pra, në pamje të parë asnjë qeveri që, qoftë edhe për sy e faqe, vazhdon të pretendojë se është krijesë e një rendi demokratik, nuk mund të rrinte pa reaguar. Paradite ish ministri Çuçi shpalli pothuajse shkrirjen e komisariatit të Fushë Krujës. Më pas erdhi dorëzimi i detyruar i mandatit nga Rrahamn Raja me arsyen qesharake se “kishte dështuar si prind”. Në fund pasoi edhe shkarkimi i ministrit të brendëshëm.  

Por sado i fortë të ngjajë ky reagim, sado shenjë të lërë kjo e shtunë korriku në manddatin e tretë të Edi Ramës, ajo nuk përbën, as shenjë pendese, as sinjal reflektimi. Rrajat mbërritën deri këtu se ata kishin mbrojtjen personale të Edi Ramës. Ende në memorien e gjithkujt është e freskët ngjarja e para shtatë viteve, kur djali i deputetit, që tani e pamë më shkop beisbolli në dorë, masakroi të dashurën e tij 25 vjeçare, Xhisiela Maloku. Atëherë pushteti u zhyt me kokë e me këmbë për ti shpëtuar agresorët. Ata kërcënuan oficerin e policisë që po hetonte ngjarjen. Madje edhe kur Emilijanio Nuhu la detyrën dhe i’a mbathi në Zvicër, i trembur nga zyrtarët e lartë që e shantazhuan, në vend të reflektonte Edi Rama e sulmoi personalisht atë si një gënjeshtar që do ta gjenin kudo që ndodhej. Ashtu siç kemi parë shpesh në këto vite kryeministri u bë palë me kriminelët dhe jo me viktimën.

Ai e pati mundësinë të reagonte edhe më vonë, që së paku mos e kandidonte më Rrahman Rajën për deputet. Por ai nuk nguroi t’a fusë atë në ekipin e rilindjes edhe në zgjedhjet e 2017 edhe në ato të 2021-shit, ndonëse emri i së njëjtës bandë lokale ishte bërë publik për trafik kokaine, oër grabitje apo për plagosjen e një ish prokurori.

Më shumë se drejtësinë Rama donte votat e krimit dhe prandaj Rajat u bënë të paprekshëm. Ngjarjet që publiku pa me zë dhe figurë ishin simbol i sundimit mbi ligjin të delinkuentëve lokalë që ndihen të plotfuqishëm, pasi njëherë në katër vjet kontribuojnë për të mbajtur të njëjtin njeri në majë të pushtetit.

Prandaj, sado të forta të duken lëvizjet e sotme, heqja qafe e deputetit dhe largimi i Blendi Çuçit, ato nuk tregojnë asgjë. Asnjë ministër rendi apo kryepolic, nuk ka forcë të bëjë detyrën e tij, nëse ai gjendet në atë post si rezultat i votave të mbledhura nga krimi. Policët e Fushë Krujës nuk ndenjën pasivë nga padija, po se ata e dinin se si e kishte pësuar kolegu i tyre Emiljano Nuhu. Dështimi i tyre nuk është rrjedhojë e pazotësisë, por e faktit se peshku qelbet nga koka. 

Në këtë kuptim Blendi Çuçi po e ha kot. Me ikjen e tij as do të ndryshojë, as do të përmirësohet gjë. As ata para tij nuk e kanë pasur forcën ti ndëshkojnë banditët që sigurojnë vota për organizatën, por edhe ata pas tij do të vijojnë në të njëjtën linjë. E për të kuptuar se sa e vërtetë është kjo, mjafton të kuptojmë një episod të thjeshtë. Propozimi i ri për të zëvendësuar Çuçin është njeriu që shkoi në komisariat ti bënte presion ish policit Emiliano Nuhu, për të mbrojtur birin dhe nipin e deputetit Rahja. Dhe kështu historia përsëritet, Rama ndryshon shërbëtorët, por vendi qeveriset nga e njëjta mendësi kriminale. 

Nga Andi Bushati. Gazeta Sot