PS dekoron ish-deputetin e dënuar/ Jurgis Çyrbja nderohet pas burgut

26 Maji 2026
Në 15 vitet e fundit, nën drejtimin e Edi Ramës, socialistët jo vetëm e normalizuan flirtin me krimin, por tani po i dekorojnë elementët mes tyre, që i qëndruan burgut dhe nuk e tradhtuan interesin e partisë. Ky është rasti i Jurgis Çyrbjes, ish-deputet i PS në zonën e Shijakut që pak muaj më parë la qelitë, pas një dënimi prej 2 vitesh burg për akuza të rënda, si transmetim i sekreteve shtetërore, përkrahje të personave në kërkim dhe korrupsion aktiv elektoral.
Dënimi me burg, bashkëpunimi me të njerëz të krimit dhe një proces gjyqësor që e njollosën publikisht figurën e Çyrbjes nuk e kanë penguar degën e Partisë Socialiste në Durrës ta dekorojë për meritat e veçanta dhe kontributin që ka dhënë për partinë. Pamja më lart është pjesë e një ceremonie të organizuar disa ditë më parë, ku duket drejtuesi politik për Durrësin, Blendi Klosin që i jep Çyrbjes dekoratën e mirënjohjes.
Në dekadën e fundit, socialistët propozuan si njerëz të zgjedhur në funksione publike tutorë prostitutash, vrasës, vjedhës dhe elementë të tjerë të përfshirë në krime, por pasi bëmat e tyre zbuloheshin në publik, PS bënte një hap pas. Ky i Çyrbjes mund të jetë një rast i rrallë që edhe pasi dënohet për vepra të rënda penale, politikani dekorohet nga partia e tij në shenjë mirënjohje.
Pse u dënua Jurgis Çyrbja
Në thelb, Çyrbja është viktimë e ambicies së tij për të qëndruar në parlament. Duke njohur mënyrën se si lëvizin karrierat politike në Partinë Socialiste, ai shfrytëzoi njohjet që kishte në zonën e Shijakut për t’u futur në listën e sigurtë në zgjedhjet e vitit 2021.
Meqënëse i mungonte oratoria dhe eleganca për t’u promovuar në videot e Instagramit, ai zgjodhi të mbështetet tek bosët e krimit në Shijak. Hetimet e SPAK zbuluan se nëpërmjet aplikacionit SKY ECC, përzgjedhja e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste nuk kishte lidhje me asnjë lloj meritokracie brenda partisë, por kandidatët vendoseshin në marrëveshje me bosët e krimit në Durrës.
Çyrbja ishte përmendur më herët në media, si ish-drejtor i hipotekës së Durrësit, që u kërcënua nga banda e Emiljano Shullazit. Nëpërmjet presioneve, Shullazi i mori firmën për kalimin e një prone në zonën e Vollgës. Disa vite më pas, nga drejtor i hipotekës, Çyrbja u katapultua në grupin parlamentar të Partisë Socialiste në vitin 2017.
Në prag të fushatës së vitit 2021, ai nuk kishte asgjë të sigurtë për një mandat të dytë. Për këtë kërkon ndihmë tek miqtë e tij, të fortët e zonës. Në mesazhet e zbuluara nga SPAK dalin bisedat me Altin Hajrin, një trafikant droge, i shpallur në kërkim si organizator i pengmarrjes dhe i vrasjes së Jan Prengës në Shijak.
Sipas mesazheve në SKY ECC, që prokurorët e SPAK i përfshinë në dosjen e Jurgis Çyrbjes, Altin Hajri i premtoi 3 mijë vota nga zona e tij dhe një vend të garantuar në listë.
“…3 mijë do ti jap unë, maje men. Thash Rromanat, Arapaj, Maskuri Zonat tona janë për “J” (Jurin) i thash. Po futem vet tha ma mirë hahaha Mond Ç (Mond Çekiçi). Gjithë grupet i thashë, po del mirë e burrë. Ne marim 4 mijë vota Bashkinë Shijak, gjithë bashkë. Po e burr Xhavzotën E kena blindu Gjepalen po Shijak…” ishte mesazhi i Altin Hajrit në SKY ECC.
Në bisedën e datës 7 mars 2021, sipas dosjes së SPAK, Altin Hajri njoftoi Jurgis Çyrbjen se kishte marrë garanci se ai dhe “liri” (flitet për Ilir Nraxhin, aktualisht deputet në Durrës) do jetë kandidati i vendosur në listën për deputet i katërti ose i pesti.
Ajo që zbuloi SPAK ishte një detaj domethënës, që tregon shumë për natyrën e PS së Durrësit. Altin Hajri kishte siguruar të gjithë listën e kandidatëve të Durrësit në telefonin e tij para se këtë listë ta kishte vetë deputetit. Madje Çyrbja e mësoi vendin e tij në listë, kur Altin Hajri ia nis me mesazh në SKY ECC.
Pak muaj më vonë, del edhe një garanci tjetër: Edmond Çekiçi, një tjetër emër i njohur në Durrës, që u vra në atentat pak muaj pas zgjedhjeve, gjithashtu i jep fjalën Çyrbjes për një vend të sigurt në vendin e 5 në listën e Durrësit.
Edmond Çekiçi: “Tashi sa e mbylla muhabetin tënd. Kam 3 orë me atë. Ia kërkova personalisht. E du unë ketë gjë i thashë. Përveç se e duan të gjithë. Do ja çoj ashtu, tha, ti i pesti, Liri i 7”.
Jurgis Çyrbja i kthen përgjigje: “Ma ngrite moralin. Se na kishte ik mendja”.
Pra, deputeti e mësoi nga një njeri i përfshirë në bandat e Durrësit, se ku do të renditet në listën e PS, përpara se këtë ta dinin strukturat e partisë.
I pyetur për rastin Çyrbja, kryeministri Rama ka shmangur përgjegjësitë.
Përgjimet? “Muhabete kot” ishte përgjigjia e Ramës në një intervistë në Opinion pak kohë pas arrestimit të deputetit.
Telefonatat me bosët e drogës? “Ka qindra mijëra mesazhe të tilla”, – u shpreh Rama duke larë duart me këtë histori.
Ndërkohë, realiteti është se Çyrbja jo vetëm që u bë deputet në zgjedhjet e 2021, ashtu siç e kishin garantuar të fortët e Shijakut, por më pas ai u detyrua të shlyejë borxhin dhe ndihmoi për fshehjen e Altin Hajrit, kur ky u shpall në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Sot këto nuk janë më “muhabet kot,” por një çështje e dokumentuar nga Prokuroria e Posaçme, për të cilën ish-deputeti socialist u dënua me 2 vjet burg. Fakti që tani dekorohet për aktet e mirënjohjes, tregon se socialistët janë gati për flirtin e radhës me krimin, ndërsa përgatiten për fushatën e zgjedhjeve lokale.
Lapsi.al
