5 Qershor 2026

Gazetari Gjergj Erebara, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka bërë një analizë të qëndresës qytetare në kryeqytet, e cila tashmë ka hyrë në ditën e saj të pestë radhazi.

Erebara vlerësoi maksimalisht frymën dhe pastërtinë e tubimit, duke theksuar se kjo lëvizje ka treguar një pjekuri të jashtëzakonshme që nuk mund të manipulohet. Sipas tij, lëvizja po përgatitet të kalojë në një fazë tjetër, atë të radikalizmit paqësor dhe krijimit të një platforme të hapur diskutimi në shesh.

Gazetari nënvizoi se pavarësisht tentativave të ndryshme për ta politizuar apo zbehur rëndësinë e revoltës, ajo mbetet një reagim i pastër dhe plot vlerë nga ana e qytetarëve shqiptarë.

“Për momentin askush nuk mund t’ia prishë bukurinë kësaj proteste,” u shpreh Erebara në studion e gazetares Nisida Tufa, duke vlerësuar energjinë dhe profilin e pjesëmarrësve në bulevard.

Më tej, Erebara zbuloi se si mund të zhvillohet kjo lëvizje në ditët në vijim, duke propozuar një skenar ku sheshi kthehet në një qendër të madhe debati publik dhe qëndrese të pandërprerë.

“Hapi tjetër është që kjo protestë të kthehet në protestë 24-orëshe, më pas në forum qytetar. Do ketë fjalime, intelektualë, qytetarë, aktivistë që do diskutojnë gjëra nga më të larmishmet,” deklaroi gazetari, duke lënë të kuptohet se sheshi do të shndërrohet në një vatër të hapur të mendimit të lirë dhe koordinimit qytetar kundër vendimeve të qeverisë.