Pritet rritje e fortë e çmimit të energjisë, Rama: “Çmimet nuk do kthehen kurrë siç ishin më parë, kemi marrë një vendim, e bëjmë publik nesër”

8 tetor 2021

Pritet rritje e fortë e çmimit të energjisë, Rama: “Çmimet nuk do kthehen kurrë siç ishin më parë, kemi marrë një vendim, e bëjmë publik nesër”

Kryeministri Edi Rama do të publikojë ditën e nesërme planin e qeverisë për përballimin e krizës energjitike.

Plani është miratuar ditën e sotme në mbledhjen që kreu i qeverisë zhvilloi në orët e para të mëngjesit në Këshillin e Ministrave.

Mbledhja kishte në fokus planin e masave që do të merren në kuadër të krizës energjitike, për të mbrojtur familjarët dhe bizneset e vogla.

Rama ka ngritur një grup ndër institucional për të menaxhuar dhe monitoruar këtë situatë, bëri të ditur dy ditë më parë, zv.Kryeministri Arben Ahmetaj pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

“Mirëdita, falemidnerit sot kemi pasur një mbledhje jashtë rendit të përjavshëm për të marrë një vendim për të deklaruar emergjencën në furnizimin e energjisë elektrike. Është i diktuar nga një situatë e përgjithshme nga rritja marramendëse e çmimeve dhe i jep mundësin ë qeverisë të ndërhyjë me instrumenta financiarë apo instrumenta të natyrës administrative. I kemi hapur rrugë planit për të përballuar këtë siituatë dhe planin do ta bëjmë publik nesër”, tha Rama.

“Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezente me pikun e kulmin e saj deri në mesin e vitit të ardhshëm dhe njëkohësht mendojnë se edhe pas kapërcimit të kulmit, çmimet nuk do të kthehen aty ku ishin para krizës. Ajo që na takon ne është që të mbrojmë konsumatorët tanë. Sigurisht me një rend prioritetesh, duke pasur parasysh ata që kanë më shumë nevojë, nga më të dobëtit tek më të fortët. Ndërkohë ja vlen t’ju sjell në vëmendje është se e vetmja rritje çmimi që ka ndodhur në qeverisjen tonë është e vitit 2015. Çmimi u vendos në një pikë që nuk e mbulon koston dhe në funksion të mbrojtjes së familjarit e biznesit të vogël dhe diferenca mes çmimit të vjetër dhe të riut në atë kohë, për rreth 200 mijë familje paguhet nga shteti sot e kësaj dite. Pensionistë, familje me ndihmë ekonomike marrin nga shteti 30 mln dollar çdo vit si kompensim. Bëni llogaritë, janë disa gjëra që humbasin nga vëmendja dhe është mirë t’i rikujtojmë”, tha ai.

Gazeta Dita