2 Korrik 2026

Nga Erisa Kryeziu

Ndërsa qeveria premton shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, vijon t’u japë sipërfaqe të mëdha toke investitorëve strategjikë

Një vendim i Këshillit të Ministrave, që mban datën e djeshme, transferon 88,5 hektarë tokë Ministrisë së Ekonomisë, për t’ia vënë në dispozicion kompanisë RAMS Albania sh.p.k. për projektin “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”.

Shifra prej 88,5 hektarësh i përket vetëm pjesës që kalon me këtë VKM specifike; gjurma e plotë e projektit, siç e përcakton vendimi fillestar i statusit të investitorit strategjik, shtrihet në 158,2 hektarë.

Projekti propozohet të zhvillohet si një ekosistem industrial-logjistik dhe inovativ, që përfshin teknologji industriale, automatizim, inteligjencë artificiale, përpunim mekanik të lehtë të metaleve dhe energji të rinovueshme, thuhet në vendimin e marrjes së statusit të investitorit strategjik.

Kompania RAMS Albania është themeluar më 26 dhjetor 2024 dhe i përket shtetasit turk Mehmet Faruk Bulbul, i cili është edhe pronar i korporatës Rams Adriatic Group, themeluar më 2 mars 2026.

Kompania ka si imazh promovues aktorin turk Burak Özçivit, i cili verën e shkuar, në qershor 2025, zhvilloi një takim me kryebashkiakun e atëhershëm të Vlorës, Ermal Dredhaj.

Vizita u paraqit si turistike, ndërkohë që kompania ishte në negociata me qeverinë për projektin.

Sipas vendimit, investimi parashikohet të arrijë vlerën e 100 milionë dollarëve, ndërsa kompania deklaron se synon të krijojë deri në 10 mijë vende pune.

Vetë vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike, i marrë më 11 shkurt 2026, përmban një klauzolë që kufizon detyrimin e shtetit. Aty thuhet shprehimisht se miratimi “në asnjë rast nuk do të konsiderohet investim” sipas kuadrit ligjor vendas apo ndërkombëtar, por vetëm miratim “në parim”. Statusi i investitorit strategjik i jepet kompanisë për 4 vjet, i kushtëzuar me zbatimin e planit të veprimit. Vetë VKM-ja që transferon tokën, e nxjerrë më 30 qershor, vjen rreth një muaj e gjysmë më vonë se afati 3-mujor që kishte caktuar vendimi fillestar.

Vendimi parashikon që RAMS Albania të jetë zhvilluesi i zonës dhe, pasi të ndërtojë infrastrukturën, të ketë të drejtë t’ua japë me qira ambientet dhe hapësirat kompanive të tjera që do të ushtrojnë aktivitet ekonomik brenda zonës.

Sipas Aranita Brahajt, drejtuese e Open Data Albania, përveç lehtësive fiskale që parashikon ligji, investitori përfiton edhe nga vënia në dispozicion e pronës shtetërore dhe mundësia për të administruar prona private, ndërsa mbetet e paqartë çfarë fiton shteti shqiptar nga ky projekt.

“Objekti i aktivitetit nuk është i qartë. Vendimi parashikon që zhvilluesi mund t’ua japë me nënqira hapësirat kompanive të tjera. Pra, ai që zotëron investimin mund të arkëtojë qira, ndërsa kompani të tjera mund të përfitojnë nga regjimi fiskal. Pyetja është: çfarë përfiton publiku shqiptar, përveçse tjetërsohen 158 hektarë tokë?” u shpreh ajo.

Vetë vendimi pranon se brenda gjurmës së projektit ndodhen prona private dhe se kompania duhet të paraqesë marrëveshjet me pronarët.

Nga 158,2 hektarët, 86,5 hektarë rezultojnë pronësi e pretenduar “shtet”, 65,4 hektarë janë pronë private, ndërsa për 6,3 hektarë nuk ka informacion kadastral.