25 Maji 2026

Kryeministri Edi Rama po josh Greqinë në mbështetje të integrimit të Shqipërisë duke i riaktivizuar negociatat për Detin, ku Greqia kërkon 12 milje. Teksa i mbajti të bllokuara për vite me radhë këto negociata, dhe krijojë një klimë tensioni, duket se kryeministri shqiptar kërkon ndryshimin e raporteve pikërisht duke plotësuar kërkesat e Athinës zyrtare. Teksa ministri Nikos Dendias ndodhet në Tiranë, lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se mbështet marrëdhënien e fqinjësisë së mirë, por dënoi sjelljen e kryeministrit Edi Rama që shkelmoi interesat e Shqipërisë me zvarritjen e konfliktit për detin dhe vendosjen e Shqipërisë në pozita të pafavorshme ku Greqia rriti pretendimin për 12 milje detare nga 6 qe ishte dakordësuar në marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria e drejtuar prej tij.

Pas disa vitesh marrëdhëniesh të tensionuara me Athinën zyrtare, kryeministri Edi Rama, duket se po josh fqinjët jugor në mbështetje për integrimin e Shqipërisë me Paktin Detar. Sot Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias ka vizituar Tiranën ku është takuar në kryeministri nga Rama dhe ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi. Qeveria shqiptare nuk ka dhënë detaje nga ky takim apo qëllimi i takimit, por arsyet e vizitës janë bërë transparente nga mediat greke. Të gjitha gazetat dhe televizionet greke shkruajnë se arsyeja e vetme e kësaj vizite është avancimi mes Athinës dhe Tiranës në marrëveshjen e Paktit Detar që prej vitesh është bllokuar. Prothothema apo ToVima shkruajnë se objektivi kryesor i udhëtimit është të rifillojë një iniciativë dypalëshe të rënë dakord për herë të parë në tetor 2020, kur të dy vendet njoftuan qëllimin e tyre për t’ia referuar mosmarrëveshjen e tyre për kufirin detar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Referuar deklarimeve të zyrtarëve të lartë grek, To Vima thekson se të dyja vendet ka riaktivizuar negociatat për shkak të rolit të Greqisë në Integrimin e Ballkanit Perëndimor e konkretisht Shqipëisë.

Athina dhe Tirana po kërkojnë të përfitojnë nga ajo që zyrtarët grekë e përshkruajnë si një fazë pozitive në marrëdhëniet dypalëshe. Përpjekja vjen pas një vizite të kohëve të fundit të Ramës në Greqi dhe brenda kuadrit më të gjerë të mbështetjes së Greqisë për përshpejtimin e procesit të pranimit në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor. Zyrtarët grekë kanë lënë të kuptohet se asistenca teknike mund të ofrohet si pjesë e angazhimit më të gjerë të Athinës për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në përmbushjen e qëllimeve të tyre të integrimit evropian.

I pyetur nga gazetarët në konferencën për shtyp mbi këto negociata, lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se Rama sabotoi marrëveshjen ‘ëin-ëin’ të detit me Greqinë,  dhe e vuri Shqipërinë në pozita të disfavorshme me pretendimin e Athinës për 12 mijë milje.

Ne jemi në mbështetje të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të bashkëpunimit me Republikën Helenike dhe vendet e tjera fqinj.  Partia Demokratike ka dënuar me forcën më të madhe qëndrimin absolutisht të papërgjegjshëm të Edi Ramës dhe qeverisë së tij ndaj këtij problemi të rëndësishëm për marrëdhëniet midis dy vendeve tona.  E kam theksuar dhe e theksoj se Edi Rama, për llogari të palëve të treta, bëri gjithçka që të sabotonte marrëveshjen e arritur para vitit 2013 me palën greke. E kam theksuar dhe e theksoj se ajo ishte një marrëveshje ku të dy palët fitonin, ishte ëin-ëin marrëveshje.

Tani, çfarë bëri Edi Rama?

Në vend se ta vazhdonte aty ku e lamë me palën greke, pasi e rrëzoi Gjykata Kushtetuese në mënyrë absolute në kundërshtim me interesin kombëtar të Shqipërisë, dhe e faktoj shumë thjeshtë këtë.

Pasi e rrëzoi Gjykata Kushtetuese, pala greke kërkoi rinegocim.

…Dhe e lamë që atë marrëveshje ta çonim në Gjykatën e Hagës.

Ku ishte avantazhi, ta themi tani, i Shqipërisë? Avantazhi i Shqipërisë ishte se Greqia kishte negociuar marrëveshjen duke i njohur vetes 6 kilometra ujëra territoriale.

Edi Rama u thotë ‘Jo, jo, do ta negociojmë bashkë edhe një herë marrëveshjen’. Ata i thonë ‘Po shumë mirë, gati. Gati jemi.’ Dhe u futën në negociata. Dy vite negociata.

Dhe lanë takimin në Korçë për të firmosur marrëveshjen.

E kupton çfarë aventurierësh? Aventurierë! Ndërkohë, Presidenti i Republikës u thotë që ‘Jo, ajo marrëveshje s’mund të firmoset kurrë.’ Pse? Sepse Gjykata Kushtetuese urdhëron që në praktikën që do ndiqet për përcaktimin e kufijve detarë, do përdoret metoda e proporcionalitetit.

Kotzias që erdhi në Korçë për të sigluar, pa që kishte të bënte me një bandë të papërgjegjshme. Pasi e panë se s’do vihej firma, u kujtuan se ka një vendim gjykate, u kujtuan se ka President e të tjerë me radhë.

Dhe çfarë solli kjo? Çfarë solli, ta them unë ty.

Pala greke u largua nga Korça dhe pas nja dy muaj-tre muaj shpalli rivendikimin e 12 kilometrave në ujërat e veta territoriale.