Përplasja Turqi-Francë, Reuters: Tensionet nisën për armët, jo për Greqinë. Denoncimi për shkeljen e embargos në Libi dhe interesi i NATO-s për Turqinë

18 tetor 2020

Detaje të reja janë bërë publike nga tensionet mes Francës dhe Turqisë. “Reuters” bën të ditur se thelbi i përplasjes në Mesdhe mes dy shteteve të NATO-s fshihet diku tjetër dhe jo vetëm tek interesat greke. Bëhet fjalë për Libinë, çështje për të cilën “Reuters” ka publikuar sot detaje mjaft tronditëse.

Sipas agjencisë, në qershor është shënuar një incident mjaft i rrezikshëm mes anijeve ushtarake të dy shteteve në Mesdhe duke rrezikuar një përplasje të armatosur.

Një burim i “Reuters” thotë se më 10 qershor, një fregatë franceze u përpoq të inspektojë një anije tregtare me flamurin e Tanzanisë në Mesdhe, e cila dyshohej se transportonte armë për në Libi.

Por, ndërkohë që fregata franceze kërkoi të bënte një inspektim, një anije ushtarake turke u afrua duke kërcënuar francezët.

Në lidhje me këtë, Franca raportoi në NATO duke akuzuar Turqinë që po shkelte embargon e armëve në Libi. Hetimi i NATO-s nuk dha asnjë rezultat, pasi sipas një zyrtari të organizatës të cituar nga “Reuters”, “hetimi përfundoi shpejt, pa bërë asnjë akuzë”.

Një zyrtar tjetër i tha agjencisë së shkaku pse ky hetim u mbajt me një profil të ulët lidhet me nevojën e NATO-s për të patur Turqinë në krahun e saj nisur nga fuqia ushtarake dhe pozicioni strategjik.

o.j/dita