Përmbytet Durrësi, Erzeni rrezikon të dalë nga shtrati – evakuohen disa banorë

– 08/01/21

As Bashkia e Durrësit nuk i ka shpëtuar përmbytjeve si pasojë e reshjeve intensive të shiut.

Siç njofton bashkia e qytetit bregdetar, në Njësinë Administrative nr. 6, në rreth 15 banesa që ndodhen nën nivelin e rrugës ka depërtuar uji.

Ndërsa në fshatin Jubë janë evakuuar dy familje.

Njoftimi i Bashkisë Durrës:

Reshjet e ditëve të fundit kanë krijuar një situatë shqetësuese në përgjithësi për shkak të daljes nga shtrati të lumenjve Erzen e Ishëm, duke mbushur tej kapacitetit kanalet kulluese, përmbytur toka bujqësore, banesa, rrugë e biznese.

Në njësinë Administrative nr. 6 në rreth 15 banesa që ndodhen nën nivelin e rrugës ka depërtuar uji. Në Njësinë Administrative Rrashbull fshati Xhafzotaj ka përmbytje banese e biznesi, ndërsa në fshatin Pjeshkë përbën rrezik kalimi shembje e një ure-tombino. Në zonen ujëmbledhese te lumit Erzen përgjatë rrjedhës të tij nga fshati Jubë deri ne kufi me Bashkinë Shijak rezulton kjo gjendje:

  • Në Fshatin Jubë njësia Katund i Ri, u evakuuan 2 familje duke i sistemuar tek të afërmit e tyre.
  • Në Fshatin Rrushkull, u evakuuan 10 persona me ndihmën e mjeteve të Policisë Bashkiake dhe u akomoduan ne ambientet e Kavaleshencës së Ministrisë së Rendit.
  • Në fshatin Vadardhë njësia Sukth, kanali i Tonës ka dalë nga shtrati duke përmbytur 4 banesa dhe rreth 20 ha tokë bujqësore.
  • Në lagjen e Pallateve dhe ne Lagjen Stalla, ka përmbytje nga reshjet e dëndura si dhe rrezikohen nga dalja e lumit Erzen.
  • Në Ishëm, lumi Ishëm ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur toka bujqësore ne Kërtushaj e Likmetaj. Gjithashtu ka dëmtuar rrugën në Lalëz e Draç
  • Në Rrashbull fshati Shkallnur ka rrëshqitje dheu e bllokim i rrugës për të subjekti Kodra e Kuajve. Ndërmarrja Rruga po punon për zhbllokimin e saj.

Sipas asaj që raporton Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, deri më datë 11 janar priten reshje shumë intensive në pothuajse të gjithë territorin e vendit, ndërsa priten rritje të rrezikshme të prurjeve në lumenjtë Drin, Buna, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.

“Përmbytje mund të shkaktohen nga lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës me prurjet maksimale të cilat parashikohen të arrijnë zonat e rrezikuara në datën 12 Janar 2021. Lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen dhe Shkumbin do i arrijnë prurjet maksimale në fundin e datës 8 dhe 9 Janar 2021″, paralajmëron IGJEUM.

Gazeta Mapo