Parku i Amantias, ndërhyrje konservuese dhe restauruese.

Gjatë  vitit 2019, në kuadër të projektit “Ndërhyrje rehabilituese dhe konservuese në nekropolin e Parkut Arkeologjik të Amantias”, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë në partneritet me European Heritage Volunteers realizoi disa ndërhyrje konservuese dhe restauruese në varret monumentale të këtij nekropoli. DRKK Vlorë shprehet se në këtë park arkeologjik janë kryer ndërhyje të rëndësishme. “Ndër ndërhyrjet më të rëndësishme ishin restaurimi i fasadës jugperëndimore të varrit të çifutit me anë të anastilozës si dhe konsolidimi i strukturave prej tulle brenda varrit monumental 107”, bën me dije DRKK Vlorë, ndërsa ka publikuar dhe foto gjatë procesit të restaurimeve. Amantia rrënojat e një qyteti antik është një monument kulture, që ndodhet në qarkun e Vlorës. Emri i saj u përmend për herë të parë në shekullin e IV para Krishtit. Amantia u themelua në fund të shekullit V para Krishtit Ajo ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure. Në shekullin e III-të para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit. Gërmimet që janë kryer kanë mundur të sjellin në dritë të dhëna historike mbi ekzistencën e Amantias.

Amantia Arkeologji

Cikli i shekujve ruante një qytetërim të tërë të mbetur tashmë me rrënoja, brenda së cilës mbeteshin gjurmët e akropolit, stadiumit, tempullit dhe mureve mbështetëse. Monumentet si vepra të mëdha arkitekturore shprehin rëndësi dhe njëkohësisht mbeten dëshmi e ekzistencës së një qytetërimi të rëndësishëm në Ilirinë Jugore. Ka shumë të ngjarë që akropoli i Amantias pas luftërave të Çezarit me Pompeun, nuk u përdor më për mbrojtje. Muret e akropolit dhe pse jo në gjendje të mirë përbëjnë një kompleks fortifikimi, me interes për njohjen dhe studimin artit të fortifikimit të qyteteve të Ilirisë Jugore. Varreza e qytetit ka qenë shtrirë kryesisht në anën perëndimore, në rrugën kryesore që vinte nga gjiri i Vlorës. Varret më të hershme kanë formën e një arke të krijuar me pllaka të mëdha guri të latuar dhe datojnë në çerekun e parë të shek. IV p.e.s. Shekullit të IV-III i takojnë një numër i madh varresh monumentale nëntokësore me dy dhoma të mbuluar në qendër. Më rrallë gjendet edhe tipi i dytë i varreve, vetëm me një ambient.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/