OBSH paralajmëron: – Rajoni evropian mund të përballet me 2 milionë vdekje nga COVID-19 deri në muajin mars

24 NËNTOR 2021

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka deklaruar se koronavirusi i ri (COVID-19) është shkaku kryesor i vdekjeve në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore, me mbi 1.5 milionë vdekje të raportuara, si dhe paralajmëroi se numri mund të arrijë në mbi 2 milionë deri në muajin mars.

“Sot, COVID-19 është shkaku numër një i vdekjeve në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore, siç raportohet nga Instituti për Metrikat dhe Vlerësimet e Shëndetit, i cili kryen modelimin për OBSH-në në Evropë”, tha OBSH.

Javën e kaluar, theksoi OBSH, vdekjet e raportuara për shkak të virusit COVID-19 u rritën në pothuajse 4.200 në ditë, dyfishi i shifrave ditore në fund të shtatorit.

Drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, bëri thirrje për një fushatë të shtuar për të vaksinuar të rrezikuarit nga COVID-19 dhe për mbajtjen e maskave për të ndihmuar në uljen e numrit.

“Kjo do të thotë marrjen e dozave standarde të vaksinës, marrjen e një doze përforcuese nëse ofrohet, si dhe përfshirjen e masave parandaluese në rutinat tona normale”, tha Kluge.

Gazeta Shqip