Nga Nefertiti te Kleopatra, misteret më të mëdha të pazbuluara

30 Gusht 2026
Egjipti i lashtë vazhdon të zbulojë pjesë të historisë së tij, por edhe zbulimet më të rëndësishme arkeologjike kanë lënë pas shumë pyetje pa përgjigje. Nga varret e mbretërve të famshëm te identiteti dhe jeta e sundimtareve të fuqishme, mijëra vjet më vonë, një pjesë e madhe e kësaj historie mbetet ende mister.
Zbulimi më i rëndësishëm erdhi në vitin 1922, kur Howard Carter gjeti varrin e paprekur të Tutankhamunit, mbretit djalosh që vdiq i ri, por la pas një pasuri të jashtëzakonshme, kryesisht të mbrojtur nga grabitësit falë shtresës së mbeturinave që e kishte mbuluar varrin, sipas Britannica-s. Është e vështirë të përcaktohet vlera e saktë, por thesaret e tij janë vlerësuar në rreth 1 miliard dollarë me vlerën e sotme.
Dy dekada më vonë, arkeologu francez Pierre Montet zbuloi atë që njihet si “Faraoni i Argjendtë”. Varri i Psusennes I, i cili jetoi nga viti 1047 deri në 998 p.e.s., ishte ndër varret e para të gjetura pothuajse të paprekura. Sarkofagu i brendshëm i faraonit, i punuar me argjend të pastër, u gjet thuajse i paprekur rreth 3000 vjet më vonë.
Në vitin 2025 u bë një tjetër zbulim i rëndësishëm: varri i faraonit Thutmose II. Edhe pse nuk përmbante thesare, zbulimi plotëson një boshllëk të rëndësishëm në historinë e gjysmës së parë të shekullit XV p.e.s. Thutmose II shpesh mbetet në hijen e gjysmë-motrës së tij, Hatshepsut, një nga faraonet femra më të njohura, sipas Britannica-s.
Megjithatë, këto zbulime na japin vetëm disa të dhëna për të kaluarën e Egjiptit të lashtë. Shumë mistere presin ende të zgjidhen.
Misteret që mbeten të pazgjidhura
Edhe pse zbulimet në Egjiptin e lashtë janë të shumta, një pjesë e madhe e jetës së kësaj qytetërimi, që filloi rreth 5000 vjet më parë, mbetet e panjohur, thotë Aidan Dodson, egjiptolog në Universitetin e Bristolit.
Një shembull është Periudha e Parë e Ndërmjetme, nga viti 2181 deri në 2055 p.e.s., kur Egjipti ishte kryesisht në kaos dhe faraonët e fuqishëm me mbretërime të gjata ishin të rrallë.
“Ne nuk jemi as plotësisht të sigurt nëse mbretërit e kësaj periudhe kishin varre apo nëse humbën një luftë civile dhe përfunduan diku në një gropë”, tha Dodson për Discover.
Pastaj vjen Periudha e Dytë e Ndërmjetme, rreth viteve 1650–1550 p.e.s., kur kishte më shumë se 100 mbretër, por vetëm rreth 20 piramida të papërfunduara. Kjo tregon se piramidat vazhdonin të ndërtoheshin, por shumica e faraonëve nuk jetonin aq gjatë sa të përfundonin varret e tyre, madje në disa raste nuk arrinin as t’i nisnin ato. Këto varre tregojnë për një periudhë të paqëndrueshme, me ndërrime të shpeshta të faraonëve.
Gjithashtu, rreth vitit 1000 p.e.s., qendra e pushtetit të Egjiptit të lashtë u zhvendos drejt deltës së Nilit. Shumë varre të asaj periudhe nuk do të gjenden kurrë për shkak të nivelit të lartë të ujërave nëntokësore dhe ndërtimeve masive romake.
“Dyshojmë fort se ato janë shkatërruar plotësisht dhe me shumë gjasë kanë humbur përgjithmonë”, tha Dodson.
Misteret e faraonëve më të famshëm
Pastaj janë sundimtarët për të cilët dimë diçka, por për jetën e të cilëve ende kemi shumë për të zbuluar. Një prej tyre është Nefertiti, e cila jetoi rreth viteve 1370–1330 p.e.s. Ajo ishte mbretëreshë e Dinastisë XVIII të Egjiptit të lashtë dhe bashkëshorte e madhe mbretërore e faraonit Akhenaten.
Nefertiti njihet më së shumti për bustin e saj të famshëm, që ndodhet në Muzeun Shtetëror të Berlinit. Egjiptologu dhe historiani i arkitekturës Ludwig Borchardt e zbuloi bustin në vitin 1912. Shumë egjiptologë besojnë se Nefertiti më vonë kaloi nga roli i mbretëreshës në atë të mbretit dhe sundoi si e tillë.
Por, edhe pse mendohet se ajo mund të ketë qenë mbret gjatë fundit të jetës së saj, ende nuk dihet nga vinte. Kush ishte familja e saj? Studiuesit e dinë se nuk ishte princeshë, por me sa duket vinte nga një familje e zakonshme. Përtej kësaj, dihet shumë pak.
Studiuesit kanë gjetur gjithashtu një mumie që mund të jetë e Nefertitit, në një dhomë të madhe pas një dere të fshehur në varrin e mbretit Tutankhamun. Tutankhamuni mund të ketë qenë ose jo djali i saj, por kjo mbetet e pakonfirmuar.
Pastaj është misteri i Hatshepsut, e cila sundoi gjatë Dinastisë XVIII. Ajo ishte regjente, por më vonë u bë bashkësunduese me Thutmose III dhe sundoi si faraon për rreth 14 vjet, deri në vdekjen e saj.
Ajo duket se pati një mbretërim të suksesshëm, por statujat dhe gjurmë të tjera të saj u shkatërruan rreth dy dekada pas vdekjes. Disa historianë mendojnë se ishte Thutmose III ai që i shkatërroi, por kjo nuk dihet me siguri, sipas Muzeut Metropolitan të Artit.
Po Kleopatra, ku është?
Ndoshta sundimtarja më e famshme e Egjiptit, Kleopatra VII, sundoi nga viti 51 deri në 30 p.e.s. dhe drejtoi Mbretërinë Ptolemease, shtetin e Egjiptit të sunduar nga një dinasti me origjinë greke. Vendndodhja e varrit të Kleopatrës dhe të dashurit të saj, Mark Antonit, është një nga misteret më të famshme që kanë mbetur.
Pas humbjes së Mark Antonit në betejën e Aktiumit në vitin 31 p.e.s. ndaj Oktavianit, ai dhe Kleopatra vdiqën me vetëvrasje. Kjo ngjarje konsiderohet gjithashtu fillimi i Perandorisë Romake, pasi Oktaviani, i cili më vonë do të bëhej perandori August, konsolidoi pushtetin mbi Egjiptin.
Historia e Egjiptit të lashtë është ende plot me boshllëqe, dhe shumë nga pyetjet më të mëdha mund të mbeten pa përgjigje për një kohë të gjatë. Siç thekson Dodson, ajo që dimë me siguri për këtë qytetërim është shumë më pak nga sa mendojmë, pra, pavarësisht mijëra zbulimeve, ende kemi zbuluar vetëm një pjesë të vogël të historisë së tij. /Discover Magazine – Syri.net
