“Negociatat mund të kthehen nga e para nëse…”

– Kryenegociatori Mazi prezanton planin: Në të ardhmen puna do të jetë edhe më e ndërlikuar

20 tetor 2021

Kryenegociatori e Shqipërisë me BE-në Zef Mazi ka bërë prezantimin e punës së tij dhe ecurinë e deritanishme për integrimin në Bashkimin Evropian.

Ai u shpreh se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe gjithçka është në dorë të vendeve evropianë. Sipas tij BE-ja duhet të gjejë forcën për t’u ngritur në nivelin e kerkesave te kohës dhe të hapë rrugën e integrimit.

Mazi paralajmëroi se puna në të ardhmen do të jetë më e madhe dhe e ndërlikuar. Nëse Shqipëria nuk ndjek rekomandimet e Bashkimit Evropian, u shpreh ai, negociatat mund të kthehen sërish nga e para.

“Puna në të ardhmen do të jetë shumë herë më e madhe dhe më e ndërlikuar deri tani. Negociatat do të zhvillohen më metodologjinë e re. Ajo do të jetë më rigoroze dhe më strikte në qasje. Sipas saj nëse nuk do të ketë progres, do të thotë me automatizëm regres.

Negociatat mund të suspendohen ose të kthehen nga e para që do të thotë eliminohet status quo-ja më tej. Prandaj është me rëndësi që të ndiqen të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian. Të zbatohen të gjitha kërkesat që vijnë nga Këshilli, përqajsa politike pozitive e gjithë spektrit tonë në raport me rajonin të vazhdohet linjëzimi i plotë dhe sjellja evropianë në politikën e jashtme dhe të sigurisë duke reflektuar vlerat dhe interesat tona të përbashkëta.

Ky proces është çështje kombëtare dhe kërkon përkrahjen e të gjithëve.

BE duhet të gjejë forcën dhe të ngrihet në nivelin e kërkesave të kohës dhe të vendosë. Ajo na ka kërkuar që ne të plotësojmë kërkesat. Është në interesin tonë dhe të BE, integrimi duhet të ecë dhe mos të ndalet. BE duhet të evitojë mesazhet se zgjerimi është diçka abstrakte ”, u shpreh Mazi.

Gazeta Panorama