Namibia

Namibia vjen në Evropë të shesë “Diellin” e saj. – Projekti ambicioz i afrikanëve që mund të zëvendësojë gazin rus

20 Maj 2022

Teksa Evropa përpiqet të dekarbonizojë ekonominë e saj dhe të largohet nga nafta dhe gazi rus, një nga vendet më me diell dhe më të thatë të botës po i vjen në ndihmë si një përgjigje për problemet e saj.

Një delegacion nga Namibia, vendi më i thatë i Afrikës Sub-Sahariane, ka qenë në turne në Evropë për të shpallur kombin e tyre si një fuqi potenciale të energjisë së pastër.

Ata thonë se Namibia mund të prodhojë aq shumë energji diellore sa që së shpejti do të jetë e vetë-mjaftueshme për konsum të brendshëm dhe deri në fund të dekadës, mund të bëhet një eksportues i të ashtuquajturit hidrogjen i gjelbër.

“Ne erdhëm në Evropë duke thënë se kemi këtë diell të mahnitshëm,” tha James Mnyupe, këshilltar ekonomik i presidencës Namibiane.

Ai ishte në Roterdam në fillim të këtij muaji për panairin “World Hydrogen Summit” dhe të mërkurën kreu një fushë në Paris përpara udhëtimit në Davos.

Një vend i madh, kryesisht i shkretë në Afrikën jugperëndimore, me një popullsi prej vetëm 2.5 milionë banorësh, Namibia është e “mbytur” nga dielli dhe e thatë.

Kjo e bën atë të përsosur për ngritjen e fermave gjigante  diellore, fuqia e të cilave mund të përdoret për të ndihmuar në prodhimin e hidrogjenit – i cili nga ana tjetër mund të përdoret për karburant ose të shndërrohet në amoniak për të bërë plehra.

Prodhimi i hidrogjenit përfshin ndarjen e molekulës së ujit në atomet përbërëse të tij të hidrogjenit dhe oksigjenit, duke përdorur një teknikë të quajtur elektrolizë.

Namibia thotë se është në një pozicion unik për ta bërë procesin të pastër.

Duke pasur një vijë të gjerë bregdetare në Atlantikun e Jugut, shteti afrikan propozon se do të përdorë ujin e detit të cilit do t’i hiqet kripa, dhe më pas do të elektrizohet duke përdorur burime të pastra dhe të rinovueshme.

Hidrogjeni do të dërgohet në një terminal dhe më pas do të eksportohet “në Roterdam, Gjermani ose Afrikën e Jugut” si dhe do të përdoret në banesa, tha Mnyupe.

Evropa dëshiron të dalë nga lëndët djegëse fosile dhe të ndërtojë një ekonomi hidrogjeni. Pa furnizime të mjaftueshme të brendshme, ajo po kërkon të importojë sasi të mëdha hidrogjeni nga vendet e Jugut Global, raporton EURACTIV Gjermani.

Gazeta Panorama