Presidenti i Këshillit Evropian pret që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka tronditur kontinentin evropian, i ka dhënë fund paqes në Evropë dhe po ndodh në një kohë kur të gjithë duhet të punojnë për të mbrojtur njëri-tjetrin, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, gjatë qëndrimit më 19 maj në Serbi.

20 Maj 2022

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka tronditur kontinentin evropian, i ka dhënë fund paqes në Evropë dhe po ndodh në një kohë kur të gjithë duhet të punojnë për të mbrojtur njëri-tjetrin, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, gjatë qëndrimit më 19 maj në Serbi.

Pas bisedimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Michel tha se integrimi evropian i Serbisë dhe i Ballkanit Perëndimor duhet të përshpejtohet dhe konfirmoi “zotimin e plotë” të BE-së në negociatat e anëtarësimit.

Michel tha se shtetet kandidate duhet të ndiejnë “përfitimet” nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Në konferencën për media, Michel nuk e tha në mënyrë eksplicite se Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe takimi me Vuçiçin u mbajt prapa dyerve të mbyllura.

“Presidenti Michel shprehu në mënyrë shumë të fortë dëshirën dhe pritjet që Serbia t’i bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë. E informova atë për qëndrimet tona”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në konferencën për media pas takimit me Michel.

Zyrtarët serbë vazhdimisht kanë thënë se Serbia nuk mbështet vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, pasi thonë se kështu po mbrojnë interesat vitale të shtetit.

Serbia është i vetmi shtet në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka vendosur regjimin e sanksioneve ndaj Rusisë. Komuniteti ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po i bën thirrje Serbisë që të ndjekë regjimin e sanksioneve, teksa shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka thënë se nuk mund të ketë të ardhme evropiane për shtete që mbajnë kontakte me Putinin./REL

Gazeta Shqiptarja.com