Motosekat dëmtojnë kurorën e gjelbër të Korçës,në Moravë rrafshohet pylli me pisha

Dhjetra pisha janë prerë ditët e fundit në masivin pyjor të Moravës,një zonë ku nuk lejohet shfrytëzimi.

Pylli i Moravës i ngjan më tepër një fushe drush,ku sheh trungje të prerë ngado.

Sipërfaqja e dëmtuar është e konsiderueshme dhe përfshin disa vatra,që janë shpyllëzuar plotësisht.

Shumica e drurëve janë prerë me motosekë dhe kanë mbetur ende në pyll,pasi autorët nuk kanë arritur t’i transportojnë.

Dy rojet e inspektoriatit të bashkisë as kanë parë as kanë dëgjuar gjë.Në pyll dëgjohet lehtësisht edhe kënga e zogjve por çuditërisht jo zhurma e motosekave.

Në mënyrë të përsëritur,kurora e gjelbër e  Korçës,po reduktohet nga prerjet e paligjshme,duke rrezikuar të zhduket.

Motoseka nuk po kursen as pishat e reja,të cilat përdoren kryesisht nga sektori i ndërtimit.

Shfrytëzimi i paligjshëm i pyjeve dhe prerjet pa kriter,mbeten shqetësim edhe për bashkinë e Korçës.

Vendorët kanë kërkuar ngritjen e grupeve të përbashkëta me policinë dhe Inspektoriatin Pyjor,i cili është në fazë riorganizimi,për të frenuar dëmtimin e pyjeve dhe ndëshkuar autorët.
Vakumi ligjor i krijuar pas shkrirjes se Inspektoriatit të Pyjeve ju ka lënë dorë të lirë shkatërruesve të pyjeve,të cilët nuk ka kush t’i proçedojë.
Ndërsa rojet e bashkisë,një Zot e di se nga çfarë e ruajnë pyllin!

Masivi me pisha i malit të Moravës,që e ndan një distancë prej 3 km nga qyteti i Korçës,frekuentohet masivisht nga qytetarët dhe të pasionuarit pas natyrës alpine,në të gjitha stinët.

Edhe pse totalisht jashtë vemendjes së bashkisë dhe mbetur vetëm nën kujdesin e një familje korçare,që prej tre dekadash e mbron me ç’ mundet pyllin,Morava mbetet një atraksion i dashur për qytetarët.

Vizion Plus