04.08.20

Del dosja e shkrimtarit ‘të arrestohet e të çohet te burgu i Armiqvet të Popullit” – Letra për të shoqen: E shoh vdekjen si lirim nga dhembjet, shoh vdekjen si një lirim nga dhembjet

Autoriteti i Dosjeve ka publikuar pjesë nga dosja e shkrimtarit Dhimitër Pasko, i njohur ndryshe me pseudonimin letrar Mitrush Kuteli. Pos shkrimtar, ai qe përkthyes dhe ekonomist i njohur shqiptar. Lindi në 1907 në Pogradec, në një familje e shtresës së mesme qytetare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa më vonë u transferua në Selanik, për të vazhduar shkollën e mesme tregtare. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Bukureshtit, Rumani, ku në 1934 mbrojti doktoratën për shkenca ekonomike.

Përgjatë qëndrimit në Rumani punoi për njëfarë kohe fillimisht në një depo verërash, por më vonë dhe në gazetën “Shqipëria e Re” me seli në Kostancë, ku botoi artikuj të ndryshëm në lidhje me Shqipërinë. U kthye në Shqipëri në 1942 dhe u emërua drejtor administrator në S.A.S.T.E.B, ku punoi për 5 muaj. Më pas në Bankën Kombëtare, ku punoi deri në gusht 1946 dhe më vonë, deri në ditën e arrestimit, në Institutin e Studimeve (informacion në dosjen nr. 3450/A të Dhimitër Paskos).

Dhimitër Pasko u arrestua më 15 mars 1947. Në aktakuzën ndaj tij të datës 2 prill 1948, thuhej se: “Ka qenë anëtar i partisë fashiste Roja e Hekurt në Rumani, dhe më 1941 ka marrë pjesë vullnetarisht në luftë kundra Ushtrisë së Kuqe. Në vitin 1942 vjen në Shqipëri dhe ka bashkëpunuar me fashistët, si Dhimitër Berati e tjerë, kundra lëvizjes N.Ç. Në kohën e t’okupacionit Nazist, me artikuj ne fletoren “Bashkimi Kombit” ka shfryrë urrejtjen kundra N.Ç. Me çlirimin e Shqipërisë, duke mos u shkëputur fare nga e kaluemja në shoqëni me Kostë Boshnjakun, Kolë Kuqalin, bashkëvepron kundra Pushtetit Popullor, aktivitet që e kryen me anë të propagandës e axhitacionit ndër elementë anti-Pushtet”.

Për këto akuza, prokurori kërkonte që Dhimitër Pasko të shpallej fajtor dhe të vendosej dënimi i tij me 7 vjet privim lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave politike dhe civile për 5 vjet.

Gjatë marrjes në pyetje në hetuesi, në 28 shkurt 1948, ai nuk e pranoi se kishte qenë anëtar i Rojes së Hekurt, por thjesht simpatizant i saj, për një kohë të shkurtër, për shkak të parullave të saj socialiste, që më vonë, sipas tij, ai e kishte kuptuar që i kishin përvetësuar nga komunistët. Pasko nuk e pranoi as akuzën se ishte fashist, por një socialist i turbullt dhe se dëshira e tij kishte qenë gjetja e një rruge për drejtësi shoqërore. Nëse kishte qenë vullnetar në luftën kundër Bashkimit Sovjetik, ai do të përgjigjej se “jo, nuk kam qenë, dhe as që mendonja, por më muerën disa muaj ushtar me forcë dhe prita rastin e parë që të largohem, mbasi ndjenja se lufta që bëja ishte e pa drejtë, agresive.

Pjesë të akuzave ndaj tij ishte edhe qëndrimi kundër lëvizjes NÇ gjatë luftës dhe se pas çlirimit kishte bashkëpunuar me Kostë Boshnjakun, Kolë Kuqalin, kundër regjimit komunist, me anë të propagandës dhe agjitacionit. Dhimitër Pasko do ta mohonte se kishte qenë në shërbim të okupatorit. Ai do të shprehej se: “Unë kam menduar si kundra okupatorit, për mos me u dhënë mjete financiare për të larguar ose ngadalësuar ato qi jepte qeverija, për të siguruar rezervën e artë për të mos ementuar monedhë të re”. Në lidhje me shkrimet e tij në kohën e okupacionit gjerman ai do të deklaronte se: “Kam shkruar artikuj ekonomik dhe letrar në gazetën “Bashkimi i Kombit”, kjo ishte e qeverisë, por artikujt e mi ishin kritikë kundra qeverisë për çështje financiare dhe ekonomike”.

Akuza e fundit ishte ajo e bashkëveprimit me Kostë Boshnjakun dhe Kolë Kuqalin kundra regjimit komunist. Dhimitër Pasko do të sqaronte përpara hetuesisë se marrëdhënia e tij me Kolë Kuqalin ishte vetëm marrëdhënie pune që rridhte prej detyrës së tij si sekretar administrativ në bankë. Gjithashtu, ai do të mohonte zhvillimin e ndonjë bisede me Kolë Kuqalin kundër pushtetit komunist. Ndërsa në lidhje me Kostë Boshnjakun, ai do të shprehej se ishte njohur në 1931-1932 në Rumani, ku shkruanin për gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë. Më vonë ishin takuar disa herë në Shqipëri dhe takimi i fundit midis tyre kishte qenë pranë Librarisë Argus, ku kishin biseduar për një artikull të Revistës “Krediti”. Së fundmi, ai do ta mbyllte dëshminë e tij me mohimin kategorik të çdo bisede dhe bashkëpunimi me Kostë Boshnjakun dhe Kolë Kuqalin për të rrëzuar pushtetin komunist.

Gjyqi ndaj tij do të zhvillohej më 3 prill 1948. Përgjithësisht, dëshmia e tij ishte si ajo e deklaruar përpara hetuesisë më 28 shkurt. Ai do të hidhte poshtë akuzat dhe do të deklaronte në gjyq se: “Unë me personat që më akuzojnë nuk kam bërë kurrë një bisedë politike dhe as që e kam ditur një gjë të tillë se ata ishin armiq të Pushtetit Popullor, se po ta dija, menjëher’e denoncojsha. Nga Banga kam ikur në gusht dhe jam arrestuar në maj të 1947, ndërsa nga banga në vjetin 1946. Unë kam vajtur ke Kolë Kuqali për të marrë disa libra për të shikuar biblotekën e sejcilit. Çështje politike unë nuk kam biseduarë me të dhe kan’ gënjyerë, me ta s’kam biseduar kurrë”.

Vendimi përfundimtar mbi Dhimitër Paskon do të jepej nga Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, më 20 maj 1948, që do të aprovonte vendimin e datës 7 prill 1948, të Gjykatës Ushtarake të Tiranës, 5 vjet privim lirie dhe punë të detyruar.
***
I mirënjohuri Mitrush Kuteli i “Tregimeve të moçme shqiptare”, “Netëve Shqiptare”, “Poemit kosovar” e shumë veprave të tjera që humbën apo u dëmtuan pas arrestimit, e kreu dënimin në kampin e Vloçishtit, në tharjen e kënetës së Maliqit, mes mijëra të burgosurve të tjerë politikë, shumë prej të cilëve intelektualë, si Arshi Pipa, Vexhi Buharaja, Halit Selfo e të tjerë.

Sipas Visar Zhitit, në “Kënetën e vdekjes” të Makensen Bungos, bashkëvuajtës në Maliq, ”polici i burgut i ra me lopatë kokës Mitrush Kutelit pse ishte shkrimtar, se “libra bën vetëm Lenini”….
Pasi doli nga burgu dhe iu bashkua familjes në internim, Kuteli kaloi shumë vështirësi, deri në rifillimin e punës si përkthyes (shpeshherë pa ia shënuar emrin dhe njohur vlerat e pronësisë intelektuale).

Mitrush Kuteli mbylli sytë në maj të 1967. Familja botoi një pjesë të dorëshkrimeve të tij pas vdekjes, mes të cilave kryeveprën “E madhe është gjëma e mëkatit”, e shkruar tre muaj para se të arrestohej.

Në letrën e fundit drejtuar së shoqes, Kuteli shprehej

”Tani e shoh vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua, po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik. Më vjen keq se do t’i le fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobekësi të madhe, në pamundësi për t’u arritur synimeve. Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”. Domosdo, 22 vjet jashtë. Edhe atje kam punuar sa jam shuar, por këta vjet pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq.
Ndofta, pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime së kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike. Një pjesë të shkrimeve të mija – shqip dhe rumanisht – janë aty, në Bibliotekën Kombëtare.
Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetjak, bile kundër interesit vetjak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka njëmijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me tradhti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë para për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes, po se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetjak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”.
Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot. Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë, kur mori vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi, as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi për veprimtarinë time praktike-në fushën ekonomike-në Rumani. Edhe atje kundër gjermanëve.
Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”. Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht, veprimtarinë time. Kam qenë kundër rusëve sepse ata mbajnë nënvete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë; kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër anglezëve për të njëjtën arsye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar, aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vëndas dhe të huaj…..

….Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë, as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëhere kur të vret.”

Familja është njohur tashmë me dosjen e Dhimitër Paskos.

Gazeta Shqiptare